SHBA dhe BE: Duhet parlament funksional

Përpjekjeve për të arritur konsensus në parlament, i janë shtuar edhe presioni i faktorit ndërkombëtar në vend. I ngarkuari me Punë në Ambasadën e SHBA, David Wisner takoi personalisht kryeparlamentaren Lindita Nikolla për t’i përcjellë mesazhin se parlamenti duhet të rikthehet në normalitet.

“Parlamenti është shumë i rëndësishëm për vendin dhe sistemin demokratik dhe është e dobishme që palët në Kuvend të angazhohen për t’u shërbyer qytetarëve dhe të ardhmes euro-atlantike të Shqipërisë. Një Parlament plotësisht funksional, ku përfaqësuesit e zgjedhur punojnë në mënyrë konstruktive në emër të popullit, është vendimtar për të përmbushur të gjitha këto objektiva.”

Thirrjes i është bashkuar edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili në një prononcim për mediat nga qyteti i Durrësit kërkon një reflektim politik.

“Ne dëshirojmë një proces gjithëpërfshirës dhe konstruktiv, që reflekton realitetin politik. Unë e di që ka disa përpjekje që po bëhen në Parlament pikërisht për të arritur disa reforma.”

Që prej nisjes së kaosit në parlament, prezenca ndërkombëtare në Shqipëri në mënyrë të vazhdueshme kanë kërkuar rikthimin e normalitetit në parlament, ndërsa kanë zhvilluar takime edhe përfaqësuesit politikë. Në këtë përpjekje është përfshirë edhe OSBE- Odhir, specifikisht për reformën zgjedhore.

Klan News