Nderohen viktimat e 11 Shtatorit



Nderohen viktimat e 11 Shtatorit

14:20 12/09/2019

Al Zauahiri kërcënon sërish me sulme

New York-u ka përkujtuar me një ceremoni të veçantë 18-vjetorin e sulmit ndaj kullave binjake të 11 Shtatorit 2001.

Familjarët e rreth 3 mijë viktimave u mblodhën pranë memorialit të ngritur aty, ku dikur ndodheshin dy kullat e rëna pas goditjes nga dy avionë pasagjerësh të rrëmbyer nga terroristët e Al-Qaeda.

Gjatë ceremonisë u lexuan emrat e viktimave që janë gdhendur në memorial, ndërsa disa prej familjarëve rrëfyen përjetimet e asaj dite.

Ceremoni përkujtimore zhvilloi edhe çifti presidencial, që nisi në Shtëpinë e Bardhë me një minutë heshtje. Më pas presidenti Donald Trump rrëfeu përpara ushtarakëve në Pentagonin e goditur po ashtu nga sulmet terroristë 18-vjet më parë, përjetimet e asaj dite.

“Nga dritarja e një ndërtese në qendër të Manhatanit pashë avionin e dytë që goditi kullën e dytë të Qendrës Botërore të Tregtisë, me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Aty kuptova se bota do të ndryshonte”.

Viktimat e 11 Shtatorit u përkujtuan edhe në Zelandën e Re, ku pjesëtarë të ekipeve zjarrëfikëse ranë në sy me performancën e tyre me vallet tradicionale vendase.

Përmes një videoje të zbuluar nga portali i inteligjencës Sajt, lideri i Al-Qaeda, Aiman Al Zauahiri kërkoi ripërsëritjen e 11 Shtatorit, duke u bërë thirrje myslimanëve në mbarë botën të godasin objektivat e Shteteve të Bashkuara, europiane, izraelite dhe ato ruse.

Tv Klan



Të ngjashme