Kosova i dha lamtumirën heroit të saj Afrim Bunjaku i cili u vra nga grupe të armatosura serbe në veri të Kosovës, në fshatin Banjskë të Zveçanit e banuar me shumicë serbe. Flamujt shtetërorë u ulen në gjysmështizë anekënd vendit në këtë ditë zie.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e nderoi me urdhrin “Heroi i Kosovës” pas vdekjes policin Afrim Bunjaku.

Osmani tha se Bunjaku ra në mbrojtje të dinjitetit të Republikës së Kosovës nga sulmet e bandës kriminale në fshatin Banjskë në Zveçan.

“Ai ra në mbrojtje të rendit, ligjit, integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ra  në mbrojtje të dinjitetit të Republikës tonë. Ndaj sot në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës do t’i ndaj postmortin, urdhrin më të lartë të Republikës, urdhin “Hero i Kosovës”.”

Kryeministri Kurti tha se Bunjaku u vra në një sulm të trajnuar me plan e të mbështetur nga Serbia.

“Afrim Bunjaku u vra gjatë një sulmi ndaj policëve të Kosovës dhe ndaj shtetit tonë, nga një grup personash shumë të armatosur dhe të pajisur rëndë, të trajnuar profesionalisht dhe me plan, të përkrahur politikisht, të financuar materialisht dhe të mbështetur logjistikisht nga Serbia.”

Afërdita Bunjaku, vajza e rreshterit Afrim Bunjaku, ka deklaruar në mbledhjen komemorative se babai i saj është flijuar për liri dhe për Kosovën.

Klan News