Publikimi i disa dokumenteve që dyshohet të jenë të falsifikuara nga një prej kompanive që ka fituar tenderin prej 18 milionë Eurosh për të ndërtuar lotin e parë të Unazës së Madhe pranë sheshit Shqiponja, ka vënë në lëvizje Prokurorinë në Shqipëri dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Tiranë, organi i akuzës ka nisur verifikimet për kompaninë “DH Albania”, pak orë pasi në emisionin të “Të Paekspozuarit” u publikua dokumenti i themelimit të kompanisë, që operon si degë e një kompanie të regjistruar në shtetin Dalaware të Shteteve të Bashkuara të Amerikes, të quajtur “Dunwell Haberman”.

Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania “DH Albania” ka deklaruar si datë themelimi të kompanisë mëmë vitin 1998, por ky dokument dyshohet se është falsifikuar dhe se kompania është krijuar vetëm 2 muaj para zhvillimit të tenderit për Unazën e Madhe, më 25 Qershor 2018.

Dyshohet të jetë falsifikuar edhe një dokument i dytë, që ka të bëjë me një certifikatë të Sekretarit të Shtetit se kjo firmë nuk i ka detyrime fiskale shtetit.

Zëdhënësi i Sekretarit të Shtetit Doug Denison, i tha Zërit të Amerikës, se për certifikatën nuk ka patur asnjë kërkesë nga firma dhe as nuk është lëshuar ndonjë dokument.

Zyra e Sekretarit të Shtetit në Delaware konfirmoi se ka filluar hetimet për të përcaktuar nëse kompania Dunwell Haberman, ose ndonjë prej zyrtarëve të saj, është përfshirë në aktivitete të paligjshme, mashtrime ose falsifikime.

Zëdhënësi Denison ka sqaruar se çështja pritet t’i kalojë për hetime penale zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në Daleware, që drejtohet nga Matt Denn. Nëse autoritetet gjejnë shkelje, firmës mund t’i anulohet regjistrimi si biznes në këtë shtet dhe ndaj saj mund të ngrihen akuza kriminale.

“Meqë kompania ka aktivitet në një vend tjetër, jashtë Shteteve të Bashkuara, rasti mund t’i referohet për ndjekje edhe Departamentit të Drejtësië në Washington”

, raporton Zëri i Amerikës.

Në një deklaratë të saj, kompania mëmë “Dunwell Haberman” thotë se po e ndjek çështjen dhe është e hapur të bashkëpunojë.

Në Tiranë, Prokuroria do të vendosë vetëm pas verifikimit nëse do regjistrojë një procedim penal në emër të personave të cilët mund të kenë abuzuar.

Verifikimi është duke u kryer për veprat penale të shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve dhe shkelje të barazisë në tendera.

Nisur nga këto të dhëna, Autoriteti Rrugor Shqiptar vendosi të pezullojë punimet në këtë pjesë të Unazës deri në sqarimin e plotë të dokumentacionit me autoritetet amerikane.

ARRSH sqaroi zyrtarisht se ka nënshkruar kontratën me bashkimin e përkohshëm të operatorëve ekonomik “Biba X shpk” dhe “DH Albania shpk- degë e shoqërisë së huaj”, pasi ka konstatuar që dokumentet janë në përputhje me kriteret e dhëna në dokumentet e tenderit.

Nënvizohet se “DH Albania shpk” ka paraqitur dokumentacionin të përkthyer dhe të noterizuar në gjuhën shqipe dhe se ARRSH nuk ka patur ndonjë indicie që vë në dyshim vërtetësinë e dokumenteve të paraqitura, e cila do mund të çonte në një procedurë verifikimi paraprak.

ARRSH thotë se u është drejtuar institucioneve që përmes komunikimit me rrugë zyrtare t’u kërkohet autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të verifikuar dokumentet e paraqitura në institucionet shqiptare nga kompania në procedurën e garës.

Në rast të konfirmimit të pretendimeve për falsifikim, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të zgjidhë kontratën në mënyrë të njëanshme dhe do të nisë procedurat e prokurimit për këtë segment.

Dhe në rast të zgjidhjes së kontratës, ARRSH njofton se do të rifillojë menjëherë procedurat e prokurimit për këtë lot për të mundësuar përfundimin në kohë të këtij projekti të rëndësishëm për kryeqytetin.

Tv Klan