Prej së mërkurës temperaturat do të arrijnë në minus 10 gardë

Edhe pse reshjet janë ndërprerë sipërfaqja e tokës bujqësore nën ujë në qarkun e Shkodrës është rritur në krahasim me një ditë më parë duke zënë tashmë 1900 hektarë. Shkak mbetet niveli i lartë i prurjeve në lumenj.

Rruga për në fshatin Obot është e kalueshme vetëm me mjete të larta teksa si pasojë e përmbytjeve ujësjellësi në disa zona vijon jashtë funksionit. Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës që shkoi në këtë fshat u tha banorëve se janë marrë masat për sigurimit e bazës ushqimore për gjënë e gjallë si edhe për furnizimin me ujë të pijshëm.

“Nuk është çështja për ushqime për banorët. Problem është gjëja e gjallë. Nuk është vetëm për sot, por edhe për ditët në vijim. Ne kemi parashikuar dhe depozituar ushqime për 1000 familje për një periudhë 2 muaj”

Një ndër qarqet më të goditura nga moti i keq dhe përmbytjet e ditëve të fundit vijon të jetë edhe Lezha.

Edhe aty reshjet e shiut janë ndërprerë, por ende nën ujë ndodhen 2600 hektarë tokë në bashkitë Lezhë dhe Kurbin, duke bërë që Emergjencat Civile të evakuuojnë 30 familje.

Sinoptikanët japin shpresë se reshjet do t’i lënë vendin diellit por nga ana tjetër  edhe temperaturave të ulëta.

“Nuk do ketë reshje. Nga nesër ka ulje të temperaturave. Ulja me drastike do jetë të enjten, premten, shtune dhe diel. Ku temperatura do arrijnë -10 gradë në zonat malore”.

Këto ditë janë të parat me temperatura të ulëta të këtij dimri.

Tv Klan