Problematika e radhës e çon emisionin “Stop” në qytetin e Fierit. Lavdie Muka denoncon në “Stop faktin se vjehrra e saj, që ka ndërruar jetë në vitin 2018, ka “marrë pjesë” në dy seanca gjyqësore në vitin 2019.

Problemi ishte për një  shtëpi banimi 73 m2, në të cilën prej 35 vitesh ka jetuar Lavdia me bashkëshortin, fëmijët dhe vjehrrën. Kunati i saj ka jetuar aty deri në vitin 1992 dhe më pas është larguar.

Pas shumë vitesh kunati vjen dhe i kërkon të dalë nga shtëpia. Në vitin 2017 çështja shkon në gjykatën e Fierit për përpjesëtim pasurie.

Gjykata dhe gjyqtari i “famshëm” Roland Hysi duke përkundër nenit 207 ia ka lënë shtëpinë kunatit, kunatës dhe vjehrrës, me arsyetimin se Ylfete Muka,meqë ishte në moshë të thyer, kishte nevojë për banesën. Në qershor 2018 Ylfete Muka ndërroi jetë.

 Por kjo nuk e pengoi të “merrte pjesë” në seancat gjyqësore të pasurisë, e përfaqësuar nga avokatja Rozeta Plaku.

Kjo e fundit thotë, se kunati, Aristir Papa është pyetur në gjykatë, nëse nëna jeton dhe ai është përgjigjur “po”.

Rozeta Plaku thotë, se nuk ka patur dijeni për vdekjen e Ylfetes,ndërsa Aristir Papa, shprehet, se nuk kishte pse të tregonte, vdekjen e nënës, pasi ajo pasi i kishte lënë testamentin.

Gazetarja: Ti je përfaqësuesja e saj dhe mbaron senacën…Ti komunikon vetëm me Arbenin? (Kunati) As me Ylfeten, as me Rajmondën?

Avokatja: Absolutisht, nuk kam komunikuar me Ylfeten. E para njëherë, se s’kam patur një numër telefoni të Ylfetes, as të Rajmondës. Kontakti im i vetëm me të dyja ka qenë një seancë gjyqësore në shkallë të parë, ku kanë ardhur dhe kanë thënë “Kërkojmë të na përfaqësojë në të tëra shkallët e gjykimit”. Dhe normalisht kam pyetur, me logjikën e ftohtë… Biles kështu ia kam bërë pyetjen “Ore, mamaja si është?” “Shumë mirë është”.Ia kishte bërë dhe gjykata këtë gjë.

Gazetarja: Ai tha, nuk më ka pyetur asnjëherë.

Avokatja: Tani… Absolutisht! E di, kur më ka treguar testamentin? Kur plasi tërë kjo. Dhe i thashë: “Ore, si ka mundësi?”

Gazetarja: Kur e keni marrë vesh ju?

Avokatja: Para një jave.

Gazetarja: Jemi në mars të 20200-ës, ajo ka vdekur në qershor të 2018-ës.

Avokatja: Nga ta di, jo nuk besoj të ketë vdekur në 2018-ën. Mos ka vdekur në 2019-ën?

Gazetarja: Në 2018-ën.

Avokatja: Edhe e di, pse rashe në dijeni të këtij fakti, që më ka thënë gjykata, apo jo?

Gazetarja: Si e keni marrë vesh ju?

Avokatja: Sepse u njoha me proces-verbalin, prandaj…të seancës.

Gazetarja: Citon “Ylfete Muka dhe Rajmonda Papa, pasi kanë dijeni dhe pa shkaqe ligjore, nuk janë paraqitur”.

Avokatja: Kjo duhet të ketë qenë, është e lidhur ndoshta me njoftimin, që ka bërë gjykata, ose me shpallje, ose me fletë-thirrje.

Gazetarja: Domethënë, që kanë dijeni? Po si mund të ketë dijeni Ylfete Muka në vitin 2019?

Avokatja: Po tani, unë për këtë gjë nuk të përgjigjem dot. Unë kam vajtur, nuk e mohoj faktin, që kam qenë prezent në seancë gjyqësore mbi bazën e deklarimit të prokurës, që ajo ka patur në shkallë të parë dhe duke qenë e bindur, sepse këtë konfirmim e kam marrë nga djali, që ajo është gjallë. Nëse do të kisha dyshimin më të vogël, që zonja kishte vdekur dhe s’do kisha bërë verifikimin…në kuptimin, do i thosha “Ore, më sill një certifikatë personale”, po të kisha këtë dyshim.

Gazetarja: Ju s’e keni patur asnjëherë këtë dyshimin, që ajo mund të ketë ndërruar jetë?

Avokatja: Nuk e kam pasur. Pse duhet ta kisha, ma thuaj një cikë!

Gazetarja: Sepse ajo ishte në moshë të thyer.

Avokatja: Po dakord, në rregull!

Gazetarja: Sepse ti, kur e përfaqëson gjatë gjithë këtyre viteve…

Avokatja: Po, me këtë logjikë, që thoni juve, mund të kesh një fije të drejtë, por kur djali vjen dhe thotë që është gjallë, ku ka dyshim më për këtë pjesë?

Gazetarja: Ju keni mashtruar për vdekjen e nënës tuaj në gjyq, në gjykatën e apelit Vlorë.

Aristir Papa: Kam mashtruar unë?!

Gazetarja: Po!

Aristir Papa: Jo!

Gazetarja: Ju jeni pyetur në gjyq, a jeton nëna juaj dhe ju keni thënë jeton në 21 nëntor 2019.

Aristir Papa: Ato gjëra janë në gjyq, nuk janë për gazetarët. Po të dojë gjyqi…

Gazetarja: Ju në gjyq keni gënjyer. Pse zotëri?

Aristir Papa: Gjërat janë sqaruar atje, janë bërë atje.

Gazetarja: Po, pra! Ti ke gënjyer në 21 nëntor të vitit 2019. Ndërkohë që nëna juaj ka vdekur në 2018-ën, apo jo?

Aristir Papa: Unë i kam me letra me si quhen, komplet ato. Ca lodheni kot? Ato kanë marrë fund.

Gazetarja: Ti nuk je i vetëdijshëm, që ke gënjyer?

Aristir Papa: Për çfarë kam gënjyer unë njëherë?

Gazetarja: Kur ka vdekur nëna juaj zotëri?

Aristir Papa: Kur ka vdekur? Ka lënë testament nëna ime.

Gazetarja: Kur? Në çfarë date?

Aristir Papa: Nëna ime ka lënë testament.

Gazetarja: Në çfarë date ka vdekur?

Aristir Papa: O zonjë! Meqenëse kërkon ti, se unë s’jam për të dhënë llogari, po ka lënë testament. Ka dhe gjyqe, ka dhe gjëra.

Gazetarja: Më thuaj pak në çfarë date?

Aristir Papa: E gjeni vetë ju.

Gazetarja: Pse ke thënë, që jeton në gjyq, në gjykatën e apelit Vlorë?

Aristir Papa: Më kanë pyetur mua?

Gazetarja: Ti je pyetur zotëri.

Aristir Papa: S’e kam idenë, nuk e di.

Gazetarja: Nuk keni treguar, që nëna juaj ka ndërruar jetë.

Aristir Papa: Të tregoj unë? Kush më pyeti mua?

Gazetarja: Nuk të pyeti askush? Gjykata të ka pyetur në Vlorë.

Aristir Papa: S’i kam vënë veshin për ca arsye, nuk i di këto rregullat mirë.

Gazetarja: Nuk e ke dëgjuar mirë pyetjen, që a jeton nëna juaj?

Aristir Papa: S’i kam dëgjuar. Mamaja, kur lë testamentin se vdes, se është gjallë, ca kuptimi ka kjo? Nuk e dija, që duhet të jepja këto të dhëna, që ka vdekur mamaja. Nuk është mashtrim kjo.

Gazetarja: Nuk është mashtrim. Po çfarë është? Fshehje informacioni?

Aristir Papa: Këto janë gjëra, që unë i kam gjërat të mbyllura, nuk e di, ca doni ju. /tvklan.al