333 të prekur ne total dhe 99 të shëruar

Mosha mesatare e të prekurve me Covid-19 në vendin tonë është 50 vjeç. Statistika është arritur kur numri i të infektuarve ka shkuar ne 333 raste në të gjithë vendin. 

Një tjetër person i konfirmuar me koronavirus ka humbur jetën këtë të shtunë.

“Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv një pacient 67 vjecar nga Tirana, i konfirmuar me Covid-19. Pacienti ishte i shtruar prej 13 ditësh në spitalin infektiv, prej 6 ditësh ishte i intubuar dhe në hemodializë që e kryente brenda spitalit Infektiv. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, 67-vjeçari ka ndërruar jetë. Deri tani 18 persona kanë ndërruar jetë nga Covid-19 në Shqipëri”.

Në dy spitale, janë gjithsej 71 pacientë që po trajtohen, ndërsa një ditë më parë ishin 77 të tillë.

“Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 66 të shtruar. 6 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa një është i intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavijon janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Ndërsa në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 5 pacientë të shtruar, 2 prej të cilëve janë të intubuar”.

Në shërbimin infektiv po trajtohet pas prekjes nga koronavirusi edhe mjeku reanimator Roland Xhaxho, i cili u bë pjesë e ekipit të organizimit të shërbimit reanimator për situatën Covid-19. Doktori është në gjendje të stabilizuar shëndetesore por ka nevojë për  trajtim të specializuar mjekësor.

Numri i të shëruarve nga koronavirusi në 24 orë ka shkuar në 10, mes tyre është edhe ish-shefi i shërbimit infektiv doktor Dhimitër Kraja, i cili ka lënë mjediset e spitalit dhe është në vetëizolim në shtëpi.

Totali i pacientëve të shëruar në vendin tonë është 99.

Tv Klan