Ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare si pasojë e një ataku kardiak aktori i njohur Suljeman Dibra.

Dibra ishte një ikonë e teatrit dhe kinematografisë.

Kush ishte Sulejman Dibra

Sulejman Dibra lindi më 9 Shtator të vitit 1943 në qytetin e Shkodrës. Pas mbarimit të studimeve në Shkollën e Lartë për Aktor “Aleksandër Mojsiu” në Tiranë, në vitin 1966 u rikthye në qytetin e Shkodrës për të punuar si aktor profesionist në Teatrin “Migjeni” të këtij qyteti. Në vitin 1969 u  transferua në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) në Tiranë. Në teatër, Dibra ka interpretuar në shumë pjesë si “Arturo Ui” e Bertold Brehtit, “Toka jonë” e Kolë Jakovës, “Prefekti” e Besim Lëvonjës etj. Në kinematografi ka interpretuar në 13 role. Roli i tij i parë ishte ai Partizanit të plagosur në filmin “Komisari i Dritës”. Më tej ka interpretuar  në rolin e Kiços, agjentit 13 në filmin “Njësiti Guerril” , rolin e Sotir Filipit “Kasketa” në filmin “Operacioni “Zjarri””, rolin e Drejtorit të shkollës në filmin “Tinguj Lufte”, rolin e Gjeneralit turk në filmin “nëntori i dytë” etj. Roli i tij i fundit ishte në vitin 2009, roli i Myrtezait në filmin “Ne dhe Lenini”. Ka dhënë mësim në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në degën e Aktrimit. I martuar me pianisten Anita Tartari me të cilën ka një vajzë Enin,e cila duke ndjekur rrugën e artit është sot një pianiste e talentuar dhe e njohur në botë. Për meritat e tij artistike në vitin 2006, Sulejman Dibra është vlerësuar me Urdhrin “Naim Frashri i Artë”./tvklan.al