Carmine Caridi, i njohur për rolin e Carmine Rosatos në “The Godfather”, ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare.

Sipas TMZ, aktori ishte shtruar në një spital në Los Angeles që në 25 Prill, por gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua gjatë fundjavës.  Thuhet se Carmine ishte rrëzuar dhe po kurohej për disa lëndime në mes, por pas gati një muaji në spital u diagnostikua me pneumoni.

Miku i tij, aktori dhe regjisori Chazz Palminteri konfirmoi për TMZ se Carmine ndërroi jetë ditën e sotme, por nuk dihet ende se çfarë ia shkaktoi përkeqësimin e gjendjes shëndetësore.

Carmine Caridi është një aktor veteran, pasi ka luajtur në filma shumë të njohur si “The Godfather”, “Starsky and Hutch”, “Taxi,” “Fame”,  “Simon & Simon” etj.

Menaxheri i tij u shpreh: “Nga Broadway, në filma dhe televizion, Carmine për gati 6 dekada argëtoi audiencën dhe asgjë tjetër nuk e bënte më të lumtur. Talenti, zgjuarsia, mirësia dhe sharmi i tij do të mungojnë. Carmine u nda nga jeta i qetë, i rrethuar nga miqtë dhe familja”./tvklan.al