atentati_2Biznesmeni i ndërtimit Xhemal Çela ka ndërruar jetë mesditën e së premtes në një spital të kryeqytetit. Mjekët thanë se Çela kishte rënë në koma që pasditen e së enjtes, si pasojë e plagëve të rënda. Ndaj tij janë kryer disa ndëryrje të specializuara, por asgjë nuk e ka kthyer në jetë 45 vjeçarin.

Ai mbeti i gjymtuar pas shpërthimit të një sasie ekzplozivi në automjetin e tij një ditë më parë në segmentin Ura e Dajlanit-Plepa.

Biznesmeni po ecte me makinën e tij dhe papritur është gjendur i përfshirë nga flakët shoqëruar me një shpërthim të fuqishëm.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje drejtuesi i automjetit ka kuptuar se në automjetin e tij po ndodhte diçka, pasi pak sekonda para shpërthimit ai ka frenuar dhe ka tentuar të dalë menjëherë nga makina.

Policia e Durrësit  ka shoqëruar rreth 25 persona, të cilët kanë të dhëna mbi atentatin e djeshëm ku mbeti i plagosur biznesmeni Xhemal Çela.

Një nga pistat kryesore të hetimit është ajo e konflikteve që biznesmeni Xhemal Çela mund të ketë pasur në fushën e ndërtimit, por nuk përjashtohen edhe pista të tjera.