Biden: Përgjegjës Putin. OKB kërkon hetim të pavarur për ngjarjen

Udhëheqësi i opozitës ruse Alexei Navalny ka ndërruar jetë në burg. Sipas mediave ruse ai ka qenë duke  u ajrosur në ambientet e bugut kur është ndjerë keq dhe më pas ka humbur ndjenjat.

Ende nuk dihen shkaqet e vdekjes së tij, por ka disa media ruse që thonë se mund të ketë pësuar mpiksje gjaku.

Media shtetërore, TASS, e cila citon zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov se presidenti rus, Vladimir Putin, është informuar lidhur me vdekjen e Navalnyt. Lajmi i vdekjes së liderit të opozitës ruse solli reagime të shumta. Presidenti amerikan Xho Bajden bëri përgjegjës presidentin rus Putin për këtë.

“Ne nuk e dimë saktësisht se çfarë ndodhi, por nuk ka dyshim se vdekja e Navalny ishte pasojë e diçkaje që bënë Putin dhe banditët e tij. Putin është përgjegjës për vdekjen e Navalny. Putini nuk synon vetëm qytetarët e vendeve të tjera, siç e kemi parë në atë që po ndodh në Ukrainë tani, ai gjithashtu kryen krime të tmerrshme ndaj popullit të tij.”

Edhe sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken reagoi për lajmin e vdekjes së tij.

“Për më shumë se një dekadë, qeveria ruse, Putin, ka persekutuar, helmuar dhe burgosur Alexei Navalny. Para së gjithash, nëse këto lajme janë të sakta, mendimet tona shkojnë për gruan dhe familjen e tij. Përtej kësaj, vdekja e tij në një burg rus dhe fiksimi dhe frika e një burri vetëm nënvizon dobësinë dhe kalbjen në zemër të sistemit që Putini ka ndërtuar.”

Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Yulia Navalnaya bashkëshortja e Aleksei Navalnit tha se nuk mund t’u besonte burimeve shtetërore ruse për lajmin e vdekjes së tij, por kërcënoi presidentin Putin.

“Nëse kjo është e vërtetë, unë dua që Putini dhe i gjithë rrethi i tij, miqtë e Putinit dhe qeveria e tij të dinë se do të mbajnë përgjegjësi për atë që i kanë bërë vendit tonë, familjes dhe burrit tim. Dhe ajo ditë do të vijë shumë shpejt. Unë dua t’i bëj thirrje të gjithë komunitetit botëror, të gjithëve në këtë sallë dhe njerëzve në mbarë botën, që të bashkohemi për të mposhtur këtë të keqe, për të mposhtur regjimin e tmerrshëm që është tani në Rusi. Vladimir Putin duhet të mbahet personalisht përgjegjës për të gjitha gjërat e tmerrshme që i ka bërë vendit tim, vendit tonë Rusisë, vitet e fundit”.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se vdekja e liderit të opozitës ruse Alexei Navalny ishte “e tmerrshme”, duke shtuar se kjo tregonte se “Putini ka frikë më shumë nga njerëzit që ngrihen, flasin e luftojnë për liri.”

“Aleksi Navalny luftoi për vlerat e lirisë dhe demokracisë. Për idealet e tij, ai bëri sakrificën e fundit. BE-ja e konsideron regjimin rus si përgjegjës të vetëm për këtë vdekje tragjike. I shpreh ngushëllimet më të thella familjes së tij,” shkroi në rrjetet sociale Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel.

“Bota ka humbur një luftëtar, guximi i të cilit do të bëjë jehonë nëpër breza. E tmerruar nga vdekja e laureatit të Çmimit Sakharov, Alexei Navalny, i cili dha jetën e tij për lirinë e Rusisë, por jo dinjitetin e tij. Lufta e tij për demokraci vazhdon. Mendimet tona janë me gruan dhe fëmijët e tij.” shkroi zv.presidentja e Komisionit Evropian Roberta Metsola.

Pothuajse e gjithë politika evropiane bën përgjegjës Putinin për vdekjen e opozitarit Navalny. Këtij reagimi iu bashkua edhe presidenti Ukrainas Volodimir Zelenski .

“Natyrisht, ai u vra nga Putini, si mijëra të tjerë që janë torturuar për shkak të këtij personi. Nuk i intereson kush vdes, për sa kohë që ai ruan pozitën e tij.”

Në shumë vende nga SHBA e deri në Evropë mbështetës të Alexei Navalnyt protestuan para selive të ambasadave ruse, duke ndezur qirinj dhe vendosur lule në fotot e opozitarit të regjimit të Putin.

Ndërkaq Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut kërkoi që vdekja e Navalnit të hetohet nga një organ i pavarur.

47-vjeçari një nga kritikët më të zëshëm të presidentit rus Vladimir Putinit, po mbahej në një burg në një rajon të Arktikut në pjesën veriore të Rusisë, ku po vuante dënimin me 19 vite burg nën akuzat për ekstremizëm.

Vdekja e Navalany vjen pak para zgjedhjeve presidenciale të Rusisë, të cilat do të mbahen më 17 Mars e ku Putin pritet të fitojë një mandat të pestë si president.

Klan News