Ilia Drini akuzohej nga ish-partnerja për përndjekje

Një 68 vjeçar ka humbur jetën në Gjykatën Penale të Tiranës. Ilia Drini nga Pojani i Korçës kishte shkuar për t’u interesuar për datën e gjyqit, pasi akuzohej për përndjekje ndaj bashkëjetueses.

Dëshmitarët thanë se ai ishte ndjerë keq në korridorin e katit të dytë. Pavarësisht se autoambulanca erdhi në kohë, 68 vjeçari humbi jetën teksa po transportohej nga gjykata drejt mjetit të urgjencës.

Drini ishte marrë i pandehur në vitin 2021. Akuzohej për “shkaktim të vetëvrasjes mbetur në tentativë”. Në dosjen ndaj tij thuhet se është paditur nga bashkëjetuesja. 68 vjeçari nuk pranonte ndarjen me të dhe vazhdimisht e kërcënonte. Si pasojë e konflikteve të vazhdueshme, vajza tentoi të vriste veten duke konsumuar ilaçe.

Avokati i Ilir Drinit akuzon gjykatën duke theksuar se procesi ndaj 68-vjeçarit u zvarrit. Gjatë intervistës para mediave, Ndue Pjetra jep një shifër të frikshme, 13 klientë të tij kanë gjetur vdekjen duke pritur gjyqin.

 “Ne u vumë në dijeni dhe ne i këna prit këto gjona. Ne i vumë në dijeni gjithë institucionet që drejtësia e vonuar kështu do të përfundojë. Deri më tani mbi 13 klientë të mi kanë vdekur duke pritur gjyqin. I thonë 6 vjet, 7 vjet, vetëm nga shkalla e parë në Apel. Gjykata vërtetë është e vështirë, duhet të dalin të shtunë e të dielë të bëjnë gjyqe, jo t’i shtyjnë gjyqet me 5 muaj.”

Avokati thotë se Ilia Drini ka qenë një profesor i nderuar i arteve marciale. Për akuzat e ngritura ndaj tij, ai fajëson familjarët e bashkëjetueses. Seanca ndaj tij ishte caktuar më 1 shkurt.

Klan News