Aktori i skenës dhe ekranit, Kirk Douglas, i cili në Hollywood ka kaluar rreth shtatë dekada, ka ndërruar jetë në moshën 103-vjeçare. Ai ishte i njohur për një sërë rolesh, përfshirë Spartakun klasik të vitit 1960, në të cilin luajti personazhin kryesor. Një film ky i Stanley Kubrick, i cili fitoi 4 OSCAR dhe mori një vëmendje të madhe.

Kirk vetë ishte i nominuar 3 herë për çmimin OSCAR dhe në vitin 1996 fitoi çmimin e nderit, për 50 vitet e tij në industrinë e filmit.

Djali i tij Michael, përmes një deklarate, tha lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të Douglas.

Me trishtim të madh unë dhe vëllezërit e mi, ju njoftojmë se Kirk Douglas na la sot. Për botën, ai ishte një legjendë, një aktor nga epoka e artë e filmave, por për mua dhe vëllezërit e mi, Joel dhe Peter, ai ishte thjesht babi. Më lejoni të mbaroj me fjalët që i thashë në ditëlindjen e tij të fundit dhe të cilat gjithmonë do të mbeten të vërteta. Babi: Unë të dua aq shumë dhe jam shumë krenar që jam biri yt”.

Ai u përball me vështirësi në jetën e tij personale. Douglas i mbijetoi rrëzimit të helikopterit në vitin 1991, ku dy persona të tjerë mbetën të vdekur.

Në  vitin 2004, djali i tij Eric vdiq në moshën 46 vjeç nga një mbidozë droge. Në vitet e fundit, Douglas dhe gruaja e tij e kthyen vëmendjen tek bamirësia dhe dhuruan miliona Dollarë për kauza të ndryshme./tvklan.al