Ishte infektuar me Covid

Një lajm i hidhur erdhi nga politika mëngjesin e kësaj të hëne. Bashkim Fino, deputet i Partisë Socialiste dhe ish-kryeministër, ndërroi jetë në moshën 59-vjeçare për shkak të komplikacioneve nga koronavirusi. Prej më shumë se 1 muaji, Fino ishte infektuar me Covid-19, por nuk e fitoi dot betejën për jetën.

Në nder të tij, qeveria ka shpallur 29 Marsin ditë zie, ku flamujt në të gjitha institucionet janë ulur në gjysmështizë. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë anuluar aktivitetet elektorale në nderim të tij. Homazhet për të do të mbahen nga ora 12:00-16:00, ku më pas do të përcillet për në banesën e fundit.

Bashkim Fino ishte kandidat për deputet për zgjedhjet e 25 Prillit. Ai ishte i katërti në listën e Partisë Socialiste për Fierin.

Fino lindi më 12 Tetor të 1962 në Gjirokastër. Ai ishte kryeministër i Shqipërisë prej 9 Marsit 1997 deri më 29 Qershor 1997. Studimet e larta, Fino i kreu në Universitetin e Tiranës për Financë. Në vitin 1992, Bashkim Fino u zgjodh Kryetar i Bashkisë Gjirokastër, post të cilin e mbajti deri në vitin 1996.

Prej vitit 1997 e në vazhdim Fino ka qenë anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Ai ka mbajtur disa poste ministrore. Nga viti 1997 deri në 1998 ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe Zv/kryeministër. Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit.

Ndarja nga jeta e Finos ka shkaktuar reagime të shumta në radhët e politikës.

Ndarja nga jeta e Bashkim Finos, Rama: E pabesueshme, ditë zie për PS-në

I pari që reagoi ishte kryeministri Edi Rama. Të pabesueshëm e konsideron ai këtë lajm ndërsa thotë se fatkeqësisht është i vërtetë. E hëna është një ditë zie për socialistët, ndërkohë që Rama thotë se në nderim të tij do të anulohen të gjitha aktivitetet elektorale në radhët e PS-së.

“E pabesueshme, po shumë fatkeqësisht e vërtetë, miku im, miku ynë i mirë Bashkim Fino nuk jeton më! Nuk kam fjalë! Sot për familjen tonë të madhe është një ditë zie, aktivitetet tona elektorale do të ndalen, në nderim e kujtim të vëllait tonë të dashur”, tha Rama.

Veliaj për humbjen e Finos: Burrë babaxhan e socialist i çmuar

Nëpërmjet një postimi në Facebook kryebashkiaku Erion Veliaj e përsshkroi Finon si një burrë babaxhan e të mirë dhe një socialist të çmuar.

“Mëngjes fort i trishtë ky, pas ikjes së një burri babaxhan e të mirë, një socialist i çmuar, si Bashkim Fino. Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë që, në një nga çastet më të vështira të vendit, ai u gjend aty, me urtësinë e tij! Prehu në paqe mik i dashur”, shkruan Veliaj.

“Dy shokë klase”, reagimi i Kodhelit për ndarjen nga jeta të Bashkim Finos

E trishtuar për këtë lajm të hidhur është shprehur në rrjetet sociale edhe ish-ministrja dhe deputetja socialiste Mimi Kodheli. Ajo ka shpërndarë një një foto të vjetër me Finon ku të dy kanë qenë në një klasë.

“Ja ku jemi të dy, shokë të një klase fakulteti. Mbetëm deri sot të tillë, por jam e sigurt do takohemi sërish. Lamtumirë shok i kohërave të vjetra e moderne, mik i ditëve të mira e të vështira, Bashkim Fino. Do na mungosh të gjithëve, por më shumë Dianës së dashur. Lamtumirë e shihemi në kohë më të mira!”, shkruan Kodheli.

Nishani i pikëlluar: Fino, një njeri me vlera

Ish-Presidenti Bujar Nishani ka ngushëlluar familjarët dhe të afërmit e Bashkim Finos. Edhe pse kundërshtarë politikë me njëri-tjetrin, Nishani shprehet se Fino ka pasur vlera njerëzore dhe dëshirë për të kontribuuar për vendin.

“Ngushëllimet më të ndjera familjes, të arfërmve dhe miqve të ish-Kryeministrit Bashkim Fino! Pavarësisht pozicioneve dhe projekteve të ndryshme politike që i përkasim, vlera njerëzore dhe dimensioni i dëshirës për të kontribuar për shtetin, për vendin, për Shqipërinë tonë, janë parimet më sublime. Kur këto parime humbasin dikë, të gjithë ndihemi të pikëlluar.  Pusho në paqe tashmë, Bashkim”, shkruan Nishani.

Meta: Vdekja e Bashkim Finos, dhimbje që na ka lënë pa fjalë

Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për këtë lajm të hidhur dhe thotë se ndarja nga jeta e Bashkim Finos është një dhimbje që i ka lënë të gjithë pa fjalë.

“Ndarja e papritur nga jeta e mikut, kolegut, politikanit të moderuar dhe e Kryeministrit të Pajtimit Kombëtar në vitin e vështirë 1997, qytetarit aktiv e familjarit shembullor, Bashkim Fino, na ka tronditur të gjithëve këtë mëngjes. Dhimbje e madhe, që na ka lënë pa fjalë! Ngushëllimet më të ndjera, të prehet në paqe dhe përherë i paharruar në kujtimet tona”, shkruan Meta.

Homazhe në nder të Bashkim Finos

Homazhet për Finon do të mbahen sot në orën 12:00-16:00 në Pallatin e Kongreseve.

Më pas, familjarët dhe miqtë do ta përcjellin për në banesën e fundit.  

Xhaçka: Fino, i papërsëritshëm. La një boshllëk që nuk zëvendësohet

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka shkruar në rrjetet sociale se humbja e Bashkim Finos ka lënë një boshllëk që nuk zëvendësohet nga askush tjetër.

“Ka disa njerëz, disa miq të mirë, që kur ikin lënë pas një boshllëk aq të madh, që nuk zëvendësohen e nuk ua zë dot kurrë dikush tjetër vendin që kishin, sepse ishin të papërsëritshëm. I tillë ishte për mua Baçi, një mik i mirë, simbol i mirësisë e kujdesit për njerëzit, i fjalës dhe i humorit, që do të na mungojë aq shumë. U prehsh në paqe e qofsh i parajsës miku im! Mungesa jote është e pazëvendësueshme”, shkruan Xhaçka.

Balla: Na preve krahët o Bashkim, PS-ja humbi vëllain e dashur

Kryeministri i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, kolegu e miku ynë i mirë Bashkim Fino u nda sot nga ne. Familja jonë e madhe socialiste humbi vëllain, kontribuesin, deputetin tonë, sa të veçantë aq edhe shumë të dashur. Na preve krahët o Bashkimi ynë i dashur! U prehsh në paqe! I paharruar do jesh gjithmonë”, shkruan Balla.

Manastirliu: Fino nuk i kursente këshillat e mençura, drejtoi Shqipërinë në një prej momenteve më të vështira

“E trishtuar nga lajmi i ndarjes nga jeta të mikut dhe kolegut, Bashkim Fino. Do të më mungojnë bisedat gjatë pushimeve në seancat e Kuvendit, ku nuk i kursente asnjëherë këshillat e mençura. Krenare që kam ndarë një copë udhë në politikë me njeriun, i cili drejtoi Shqipërinë në një prej momenteve më të vështira të historisë së 30 viteve të fundit. U prehsh në paqe, mik”, shkruan ministrja.

Gjiknuri: Bashkimi u kthye në simbol shprese si Kryeministër i qeverisë së Pajtimit Kombëtar

“Lajm i trishtë ndarja nga jeta e mikut dhe kolegut Bashkim Fino. Një humbje e parakohshme që krijon një boshllëk të madh jo vetëm tek familja, por edhe tek miqtë e shumtë dhe kolegët! Familja humbi njeriun e vet të dashur, miqtë humbën një burrë fisnik e me vlera të jashtëzakonshme! Kolegët humbën njeriun e përkushtuar që diti të marrë përsipër përgjegjësi edhe në momentet ndër më të vështirat në historinë e Shqipërisë postkomuniste, atë të trazirave të vitit famëkeq 1997, kur Bashkimi u kthye në simbol shprese si Kryeministër i qeverisë së Pajtimit Kombëtar”, shkruante Gjiknuri.

Bushati: I tronditur me ikjen e parakohshme të Finos

“Na trondite me ikjen tënde të parakohshme Bashkim Fino. U prehsh në paqe miku ynë i mirë”.

Gjylameti: Do ta ndjejmë mungesën mik i mirë

“Mëngjesi erdhi me një lajm të hidhur dhe shumë të trishtuar. Miku ynë, kolegu i nderuar Bashkim Fino u nda nga jeta. Mungojnë fjalët që e kanë të pamundur të ngushëllojnë dhimbjen. Do ta ndjejmë shumë mungesën tënde mik i mirë. Ngushëllime familjes, u prehsh në paqe”!

Ruçi: Bashkimi i doli zot atdheut në një moment të rëndë

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka shprehur sot një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të deputetit Bashkim Fino

“Sot u nda nga jeta kolegu ynë, Bashkim Fino. Bashkimi humbi betejën për jetën duke na shkaktuar të gjithëve, familjes, kolegëve, miqve, një humbje të pazëvendësueshme. Bashkim Fino ishte një ndër njerëzit më të mirë të Shqipërisë, politikan, kryetar bashkie, deputet dhe ministër ndër më të shquarit. Shërbeu me devotshmëri për disa legjislatura si deputet i qarkut Fier dhe fitoi besimin dhe dashurinë e të gjithëve. Bashkimi i doli zot atdheut si Kryeministër në një kohë të rëndë dhe shërbeu si shtetar dhe patriot gjatë periudhës më të vështirë të tranzicionit. Ishte vëllai, kolegu dhe miku ynë, buzëqeshja e të cilit nuk do të na ndahet përjetë. Lamtumirë, Bashkim, vëllai ynë i dashur dhe i paharruar!”, shkruan në mesazhin e ngushëllimit Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Basha: Fino, zë i rëndësishëm në funksion të stabilitetit të vendit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ka shprehur ngushëllimet familjarëve të Bashkim Finos, pas ndarjes së tij nga jeta. Basha shkruan në rrjetet sociale se kontributi i Finos në politikën shqiptare do të vlerësohet gjithmonë si zë i rëndësishëm në funksion të stabilitetit politik dhe shoqëror të vendit.

“Me trishtim mësova lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit, ish-ministrit dhe ish-deputetit Bashkim Fino. Jam i bindur se kontributi i Bashkim Finos në politikën shqiptare do të vlerësohet gjithmonë si një zë i rëndësishëm në funksion të stabilitetit politik dhe shoqëror të vendit. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Fino dhe gjithë të dashurve të tij. U prehtë në paqe”, shkruan Basha.

Kryemadhi: Fino, njeriu që ishte kundër çdo konflikti absurd

“Me hidhërim të madh mësova lajmin se u nda nga jeta një njeri i mirë, një socialist i vërtetë. Njeriu që ishte kundër çdo konflikti absurd, i lindur për të qenë kryeministri i pajtimit. U prehsh në paqe Bashkim”, shkruan Kryemadhi.

Presidenca ul flamurin në gjysmështizë

Të gjitha institucionet shtetërore dhe publike janë urdhëruar që të ulin flamurin në gjysmështizë pasi 29 Marsi është shpallur ditë zie. Ky është momenti ku në institucionin e Presidencës, flamuri kombëtar ulet në gjysmë shtizë.

“Flamuri kombëtar në institucionin e Presidentit të Republikës ulet në gjysmë shtizë në nderim të të ndjerit Bashkim Fino, Kryeministër i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar dhe deputet në disa legjislatura”, thuhet në një njoftim nga zyra e shtypit të Presidencës.

Vdekja e Finos, reagon Berisha: Një humbje e pakompensueshme

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka reaguar për ndarjen nga jeta të deputetit socialist Bashkim Fino.

“Miq, Covid-19 e ndau nga jeta para kohe Bashkim Finon, njërin prej personaliteteve më të spikatura të Partisë Socialiste dhe qeverisjes së vendit. Gjatë këtyre 30 viteve në politike, Bashkimi ka mbajtur detyra të rëndësishme nga kryetar bashkie i qytetit të tij të lindjes Gjirokastrës deri në kryeministër i qeverisë së pajtimit kombëtar në vitin 1997, e cila kishte si detyrë me kryesore përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme, detyre të cilën në vlerësimin tim ai e përmbushi në frymë bashkëpunimi dhe me përgjegjësi. Pas atyre zgjedhjeve deri sot ai si deputet i PS dhe qeveritar i saj ka kryer detyra të rëndësishme duke qëndruar një zë i moderuar në grupin drejtues ekstremist tëPS. Duke shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera familjes Fino për humbjen e pakompensueshme, unë i lutem Zotit që shpirti i Bashkimit të saj të dashur të gjejë paqen e merituar. Amin. sb”.

PD anulon aktivitetet elektorale në nderim të Bashkim Finos

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kishte parashikuar aktivitete  elektorale në qarkun e Fierit këtë të hënë. Por ndarja nga jeta e Bashkim Finos, deputet i Kuvendit dhe ish-kryeministër, ka bërë që kreu i opozitës të shtyjë takimet politike të parashikuara.

“Për shkak të ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit dhe deputetit të parlamentit Bashkim Fino, kryetari i PD Lulzim Basha vendosi të shtyjë aktivitetet politike të parashikuara për ditën e sotme në Fier me pjesëmarrjen e tij”, thuhet në një deklaratë të PD-së.

Më herët, kreu i PD-së në Fier, Luan Baçi, deklaroi para qytetarëve që ishin në pritje të Bashës, se lideri i tyre ishte kthyer nga rruga për të respektuar këtë ditë zie.

“Ju falenderoj përzemërsisht dhe më lejoni t’ju them se sot Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë zoti Basha e ka anuluar këtë takim, është kthyer nga rruga duke qenë se sot një nga deputetët e parlamentit shqiptarë të PS, zoti Fino ka ndërruar jetë. Si qytetarë që jemi ne do të respektojmë këtë ditë zie të shpallur duke anuluar takimin tonë të sotëm dhe duke qenë pas disa ditësh në një takim më të madh”, tha Baçi.

Kushi: E vështirë të them lamtumirë për Bashkim Fino

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi, nëpërmjet rrjetit të saj social ka reaguar për ndarjen nga jeta të Bashkim Finos.

“E vështirë të them lamtumirë për Bashkim Finon!”, nënvizon Ministrja Kushi, ndërsa cilëson se “Një mik i dashur si ai nuk mund të largohet kurrë, por do të jetojë në kujtimet tona përgjithmonë!”

Vdekja e Bashkim Finos, Tahiri: Eh mor Baç, nuk bëri shaka kjo

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka reaguar në rrjetet sociale pas vdekjes së Bashkim Finos.

“Ehh mo Baç, nuk bëri shaka kjo. Qesh nga andej lart, me puron tënde në dorë miku im. Do shihemi prapë dikur”, shkruan Saimir Tahiri në Facebook.

Ambasada amerikane: Fino do të kujtohet për udhëheqjen në vitin e vështirë 1997

Ambasada amerikane në Tiranë i ka shprehur ngushëllimet familjes, miqve dhe kolegëve për ndarjen para kohe nga jeta të Bashkim Finos. Në një deklaratë në rrjetet sociale, ambasada thotë se Fino do të kujtohet për udhëheqjen në një moshë të re gjatë qeverisë së Pajtimit Kombëtar përgjatë vitit 1997.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dëshiron t’i përçojë ngushëllimet e sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve të Bashkim Fino, i cili u nda nga jeta sot në mënyrë të parakohshme. Fino do të kujtohet për udhëheqjen, në moshë fare të re, të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar përgjatë vitit të vështirë 1997 e gjithashtu për kontributin e tij në proceset ligjbërëse gjatë karrierës së tij të larmishme politike. U prehtë në paqe”.

“Asnjë ditë në politike nuk jetove si militant”, lamtumira e Blendi Fevziut për Finon

Shumë herë e pati të ftuar në studion e tij televizive, për të folur për disa prej ngjarjeve më të rëndësishme të jetës politike në vend. Dhe Blendi Fevziu zgjodhi që ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Bashkim Finos ta bënte nëpërmjet disa rreshtave në rrjetet sociale, ku shpreh vlerësimin e tij dhe dhimbjen për ndarjen para kohe nga jeta.

“Lamtumirë Bashkim Fino. Asnjë ditë në politike nuk jetove si militant; atëherë kur vendi kishte nevojë për ty dite të ishe më i ekuilibruar se të gjithë ne. Vetëm se u largove më herët se sa duhej… (Foto e Korrikut 1998 në TVSH)”, shkruajti gazetari dhe drejtuesi i “Opinion”, në një postim në rrjetet sociale.

/tvklan.al