10 raste të prekur të rinj, shumica në Tiranë

Një 73-vjeçar nga Durrësi është viktima e 29-të nga koronavirusi në vendin tonë. Ai ndërroi jetë mbrëmjen e së hënës në spitalin “Shefqet Ndroqi” në kryeqytet, pasi kishte 24 ditë i intubuar në terapi intensive. Viktima kishte edhe sëmundje të tjera.

Tirana vijon të ketë ndërkohë raste të reja me koronavirus. 9 të infektuar nga 10 të identifikuar në 24 orët e fundit i përkasin kryeqytetit, ndërsa 1 është në Shkodër.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 10 raste pozitive me COVID19, nga të cilat 9 raste janë në Tiranë, shumica kontakte familjare, dhe 1 rast i ri është në Shkodër. Deri në këto momente janë konfirmuar pozitivë me COVID-19, 736 raste”.

Duke iu referuar rasteve të shëruara deri më tani, Ministria e Shëndetësisë vlerëson se vendi ynë ka situatën më të mirë në rajon.

“Gjatë 24 orëve të fundit, 12 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 422 ose 57.3 % e totalit të të prekurve. Aktualisht në vendin tonë, 286 ose 42.7 % e totalit të të prekurve janë persona aktivë me COVID-19 dhe siç shihet përqindja e të shëruarve është më e lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme”.

Tv Klan