34 viktima nga Covid-19 në Shqipëri



34 viktima nga Covid-19 në Shqipëri

22:42 05/06/2020

Mbrëmjen e së premtes në vendin tonë është regjistruar viktima e 34 nga koronavirusi. Lajmin e trishtë e dha Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi për mediat.

Bëhet fjalë për një të moshuar 85-vjeçare nga Tirana. Ajo ishte e konfirmuar me Covid-19 dhe ishte shtruar në Spitalin Infektiv.

Sipas ministrisë, 85-vjeçarja vuante edhe nga disa sëmundje bashkëshoqëruese, të cilat i dhanë goditjen përfundimtare.

“E moshuara e cila vuante nga insuficiencë kardiake kronike, fibrillacion atrial dhe hipertension, referuar shërbimit infektiv, ndërroi jetë si pasojë e dekompensimit progresiv kardiak dhe pulmonar fatal nga COVID19”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Këtë të premte në vendin tonë u konfirmuan 15 raste të reja. Kjo e çoi numrin e të infektuarve në vendin tonë në 1212 persona.

Pjesa më e madhe e tyre janë shëruar megjithatë 269 raste vijojnë të jenë aktive./tvklan.al



Të ngjashme