Për dy muaj mbushte 100 vjeç, konsiderohej shtylla e mbretërisë

Ndërron jetë pak javë para se të mbushte 1 shekull, Princi Filip i Britanisë së Madhe. Duka i Edinburgut ndërroi jetë mëngjesin e kësaj të premteje në Kështjellën Mbretërore të Uinsdorit, siç njoftoi përmes një deklarate për shtyp vetë familja mbretërore.

Pak javë më parë, bashkëshorti i Mbretëreshës Elizabet e Dytë iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale delikate në zemër dhe qëndroi i shtruar në spital për disa javë deri në mesin e muajit Mars kur u rikthye në shtëpi. Vitet e fundit, ai u shtrua disa herë në spital për shkak të problemeve të shpeshta shëndetësore.

I lindur në Korfuz si trashëgimtar i familjeve mbretërore të Greqisë dhe Danimarkës, njeriu që shërbeu në marinën mbretërore britanike gjatë Luftës së Dytë Botërore u shndërrua në shtyllën kurrizore të mbretërisë britanike pas martesës me Elizabetën e Dytë më 1947-ën.

Analistët thonë se pa Filipin, si mbështetës i reformave dhe i frymës liberale, nuk do të ishte as princesha Diana, as Kejti e as Megani, e madje as vetë mbretëresha Elizabet e Dytë nuk do të mund t’i shërbente vendit në gati 7 dekadat e fundit.

Tv Klan