lezheDrejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Lezhë bën përgjegjës për ndërtimet në zonat e mbrojtura në këtë qytet pushtetin vendor, Institutin e Monunenteve dhe atë të Arkeologjisë. Sipas përfaqësuesve të kësaj drejtorie, lejet e dhëna përgjatë 20 viteve nga keto institucione, kanë dëmtuar rëndë në zonën e kategorisë A dhe B, monumentet e kulturës, ndaj dhe titullarët e tyre duhet të përgjigjen për shkeljet e ligjit.

Paulin Zefi – Përgjegjës i zyrës së DRKK-së Lezhë: “Pjesa më e madhe e ndërtimeve duke i marrë nga numri, janë kryesisht të përqendruar në zonen “B”. Janë bërë 20 vitet e fundit, jo nga ky kryetar bashkie që është, por edhe nga ato që kanë qenë më parë. Ndërtimet që kanë ndodhur më parë mund të japin llogari institucionet dhe njerëzit përkatës që kanë qenë në këtë detyrë”.

Paulin Zefi, përfaqësues i Drejtorisë së Kulturës Kombëtare të Lezhës, thotë se këto ndërtime duhen prishur. Vonesat për shembjen e tyre ai i justifikon me mungesën e fondeve.

Paulin Zefi – Përgjegjës i zyrës së DRKK-së Lezhë:Është shumë e domosdoshme që duke iu përshtatur master planit të ri të zhvillimit të Lezhës dhe fizionomisë së këtij qyteti, si në çdo qytet europian është e nevojshme që një pjesë e këtyre ndërtimeve sidomos brenda zonës A, duhen prishur disa ndërtime të cilat figurojnë ndërtime pa leje. Është shumë e domosdoshme ndërhyrja edhe pse jemi shumë vonë. Ministria e Kulturës nga pamundësia për të pasur fonde edhe vitin e kaluar nuk është bërë asnjë lloj investimi”.

Situatën e rënduar të ndërtimeve në zonat e mbrojtura të Lezhës e pranoi pak ditë më parë edhe Kryetari i Bashkisë së këtij qyteti Viktor Tusha, i cili tha se kjo problematikë është e mbartur ndër vite dhe se bashkia ka vendosur në bazë të lejeve të dhëna nga Instituti i Monunenteve dhe ai i Arkeologjisë.

Sa i përket ndërtimeve pa leje të ndërtuara në zonat e mbrojtura, ai tha se institucionet shtetërore kanë qenë të dobëta për të kontrolluar dhe reaguar ndaj kësaj paligjshmërie. Vetëm brenda territorit të zonës së Kalasë së Lezhës janë lejuar të ngrihen 16 ndërtime. Ndërsa në zonën A dhe B, sipas Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare të Shkodrës, që mbulon edhe zonën e Lezhës, gjenden 113 objekte.

Tv Klan