Të hënën e javës së ardhshme, strukturat e Policisë së Shtetit dhe Inspektoratit Kombëtar të Territorit do të nisin operacionin për pastrimin e vijës bregdetare të Shqipërisë. Ky operacion do të quhet “Bregdeti Ynë” dhe u njoftua këtë të martë pas një takimi që kryeministri Edi Rama pati me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi; kreun e Kadastrës, Artan Lame; drejtorin e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe drejtuesin e SHÇBA-së, Muhamet Rrumbullaku.

Kreu i qeverisë kishte një mesazh të drejtpërdrejtë për të gjithë pronarët e ndërtimeve pa leje që t’i prishin ato, ose më vonë do të vuajnë pasojat e ligjit.

“Operacioni fillon të hënën e ardhshme. Dua që t’ua përcjell këtë mesazh atyre që e dinë vetë dhe janë në kushtet e shkeljes së rëndë të ligjit, të lexojnë Kodin Penal, dhe menjëherë të marrin masat tani se do jetë vonë nga e hëna që të shmangin përballjen me ligjin. Të lexojnë Kodin Penal se çfarë i pret në momentin ku konstatohet flagranca nga policia dhe në momentin kur duhet të ballafaqohen për këto shkelje të rënda. Dhe të fillojnë t’i prishin vetë. Kjo për të lehtësuar si i thonë, atë që pason. Tërhiquni tani, përfitoni nga këto ditë për të filluar për të hequr atë që keni bërë. Në çfarëdo lloj situate që do të jetë do të shembet, dhe do të mbani edhe pasoja”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë duket i vendosur në këtë aksion ku thotë se do të mbajnë përgjegjësi i gjithë zinxhirë që ka marrë pjesë në ndërtimin e ndërtesës pa leje.

“E dyta, unë dua t’ua bëj shumë të qartë të gjithë zinxhirët, që nga inxhinierët konstruktorë, tek punëtori më i fundit që përfshihet në këto ndërtime që me Kodin Penal janë pjesë e zinxhirit të fajësisë dhe përgjegjësisë sepse nuk mundet të thuash që unë jam një punëtor, më morën nuk kam ça bëj. Është njësoj si të thuash jam një punëtor kujtoja se po mbillja bar, por në fakt po mbillja kanabis. Të gjithë do të ndalohen dhe penalizohen”, tha kryeministri.

Rama u shpreh se pronarët e këtyre ndërtesave do të duhet edhe të pastrojnë intertet që do të shkaktojë shkatërrimi i tyre.

“Ligji detyron që ata që ndërtojnë pa leje, të pastrojnë kjo gjë është lënë pas dore. Ne nuk do i lemë grumbullimet e inerteve aty. Kush nuk paguan vetë do paguajë rëndë edhe koston e pastrimit edhe shpenzimin e madh të energjisë së strukturave të shtetit”, tha Rama

Përgjegjësi sipas kryeministrit do të mbajnë edhe ata persona që kanë lejuar që situata të degradojë.

“E treta që është po kaq e rëndësishme është që kjo është pasuria më e madhe që Zoti i ka dhënë këtij vendi. Ka ndodhur, çfarë ka ndodhur, është bërë çfarë është bërë në të shkuarën ne nuk mund të lemë që për arsye të situatave të komplikuara, pandemia, tërmeti etj., të bubërrojë përsëri nën vështrimin indiferent të disa strukturave dhe punonjësve edhe të policisë ky aktivitet i paligjshëm. Është e pamundur, e pajustifikueshme dhe e patolerueshme. SHÇBA do i shkojë deri në fund kësaj pune. Edhe punonjësit e policisë duhet të jenë të informuar se njësoj si lufta me krimin në rrugë, njësoj si lufta me kanabisin edhe kjo ka një përgjegjësi. Nëse në zonën e përgjegjësisë ndodh një ndërtim pa leje, je ti përgjegjës”.

Kreu i qeverisë u njoh me drejtuesit e institucioneve në lidhje me masat që janë marrë. Në një postim në Facebook, ai thotë se pas bregdetit, aksioni do të vijojë me zonat e mbrojtura dhe akset kombëtare./tvklan.al