Kryeministri: Krimi ndaj territorit, i njëjte me krimet e tjera

Pasojat e rënda të tërmetit të 26 Nëntorit sollën edhe ndryshime të koditit penal sa i përket mbrojtjes së territorit dhe sektorit të ndërtimit. Kryeministri Rama paralajmëroi nisjen e një operacioni sidomos për ndërtimet në vijën bregdetare,duke nisur jo vetëm prishje objektesh por edhe procedime penale.

“Operacion nga Velipoja deri në Ksamil. Duhet të nis tani jo në mesin e verës kur vijnë turistët, por tani pa asnjë tolerancë dhe jo duke shkuar tek ndërtime që janë bërë para 20 vitesh”, është shprehur Rama.

Me ndryshimet e reja,policia do të jetë përgjegjës për krime mjedisore dhe ndërtimet pa leje. Çdo leje ndërtimi që do të jepet do të shkojë me detyrim tek Policia e Shtetit në momentin që do të zbardhet.  

Gjatë takimit me drejtues të komisariateve të mbarë vendit, ashpër foli edhe  ministri i brendshëm.

 “Policia e shtetit duhet të kontrollojë çdo cm të territorit të Shqipërisë. Dua t’i kujtoj të gjithë ata dhunues që nga veriu i Shqipërisë dhe deri në skajin më jugor të Shqipërisë që do përballen me forcën e ligjit si asnjëherë tjetër. Ta harrojnë celularin e ministrit të brendshëm. Deri në 15 vite burg për ndërtimet pa leje, nuk do të ketë më tolerim sidomos në sezonin turistik”, është shprehur Bledar Çuçi

Minsitrja e drejtësisë Etilda Gjonaj tha se me ndryshimet e kodit penal, një objekt pa leje mund të konfiskohet  për interes publik,ndërsa ndërshkime ka dhe për subjektet që nuk zbatojnë lejet e ndërtimit.

“Çdo subjekt apo kompani që ndërton në kundërshtim me lejen, ky subjekt futet në një listë të zezë e cila parashikohet nga ligji për disiplinimin e ndërtimit dhe për 5 vjet ky subjekt nuk ka të drejtë të marrë asnjë lloj leje shfrytëzuese po ndërtimore nga asnjë autoritet shtetëror”,është shprehur Etilda Gjonaj.

Minsitri i mjedisit ja vuri fokusin sigurisë në palzhe por edhe pastërtisë. Ndaj ai tha se duhet të ndiqet parimi që ndotësi paguan dhe bashkitë të përcaktojnë vendet depozitimet e mbetjeve.

“Në javët në vazhdim do fillojmë një operacion të madh pastrimi. Ka ardhur koha që të gjykojmë dhe përsëri duke u kthyer tek kodi penal të veprojmë për ndotësit e mëdhenj”, është shprehur Blendi Klosi.

Me këto ndryshime ligjore synohet ti jepet fund  ndërtimeve paleje, por edhe  abuzimeve me lejet e ndërtimit.  Ndaj me kodin e ri penal përgjegjësia per sigurine  e ndertimeve është ndarë në disa hallka duke nisur nga projektuesi, te inxhinieri i ndërtimti, aritekti dhe sipërmarrësi.

Klan News