Puna për ndërtimin e parkut fotovolkaik të Karavastasë ka nisur në terren. Atje ka mbërritur kompania që ka fituar garën për ndërtimin e saj, Voltalia, për të grumbulluar të gjitha të dhënat e domosdoshme për fazën përgatitore të kantierit të parkut.

Kryeministri Edi Rama ishte në zonën ku do të bëhet ky park dhe u prit nga drejtuesi i projektit. Ky i fundit edhe pse francez kishte shkruar një letër në gjuhën shqipe për të shprehur mirënjohjen ndaj qeverisë shqiptare.

“Zoti kryeministër, zonja ministre. Përshëndetje. Si drejtor i projektit jam shumë I lumtur të ju mirëpres këtu në këto toka. Do të prodhojmë energji elektrike me çmim konkurrues që është padyshim energjia elektrike më e e lirë në Shqipëri. Falenderoj kryeministrin për praninë e tij këtu ndërkohë që partnerët lokalë janë në terren për të kryer inspektimet për zbatimin e lejes. Falenderimet shkojnë për ministren dhe ekipet e saj. Unë nuk flas shqip mirë. Nëse jeni dakord do të vazhdoj në frëngjisht”, tha ai në gjuhën shqipe.

Por kreu i qeverisë nuk i la pas batutat.  

“Nga shqipja jote kuptova se përzierja e një shqiptari me një francez bën një arbëresh”, tha ai. 

Parku fotovolkaik i Karavastasë do të jetë parku ë i madh i prodhimit të energjië diellore në rajonin e Ballkanit. Mësohet se deri më tani ka mbaruar gjithashtu masterplani për zhvillimin turistik të Divjakës.

“Mandati i Tretë do të jetë mandati i investimeve të mëdha në këtë pjesë të vijës bregdetare që ka një potencial të jashtëzakonshëm ekonomik, social dhe ekologjik”, shkruan Rama në Facebook.