Deputeti demokrat Agron Shehaj ka replikuar me ministren e Jashtme Olta Xhaçka për resortin që do të ndërtojë në Dhërmi bashkëshorti i saj.

Xhaçka pranoi se investimi është privat dhe toka është blerë nga persona privatë dhe nuk ka shkelje ligji, teksa shtoi se për këtë investim do të hidhen milionë Euro e do të krijohen vende pune.

Por deputeti Shehaj i kërkoi ministres të bëjë transparencë “ku i gjeti milionat”.

“Imagjinoni sikur në Itali, Greqi, Francë kudo që të jetë, imagjinoni sikur të mblidhej Këshilli i Ministrave edhe t’i kalonte pronën publike në përdorim një prej anëtarëve të kabinetit. Prona publike, e ke në vendim. Është fakt. Ato që thoni ju janë broçkulla. Është VKM dhe VKM-ja thotë lejimi i përdorimit të brigjeve të detit është pronë. Kushtetuta ka një nen kastile për këtë punë, për të ndaluar që ju si deputetë edhe si ministre të fusni duart në prona publike, e parashikon Kushtetuta. Nuk ju vjen turp të vini këtu me xhepat bosh edhe dilni me resorte me 5 yje. Dhe thua pa gjë të keqe, do investojë miliona. Ku i gjetët milionat zonjat ministre? Ku i gjetët milionat? Bë transparencë”, tha deputeti Shehaj.  /tvklan.al