Ajo është 5 metra më e gjatë se statuja në Rio de Janeiro

Qyteti i vogël Encantado në jugun e Brazilit ka ndërtuar një statujë të Jezu Krishtit më të gjatë se ajo që ndodhet në Rio de Janeiro e që është kthyer në një nga atraksionet më të mëdha turistike në vend.

Statuja, e cila është 43 metra e lartë, ka një gjatësi prej 5 metrash më shumë se ajo që ndodhet në Rio de Janeiro e cila është në gjatësinë e 38 metrave.

E ndërtuar me beton mbi një strukturë metalike, ajo tashmë është ngritur në një kodër mbi qytet, por qytetarët do të mund ta shohin atë nga afër vetëm vitin e ardhshëm.

Nënkryetari i shoqatës që sponsorizoi këtë  statujë madhështore thotë se ajo është statuja më e madhe  e Jezu Krishtit në botë.

Statuja ka një pikë vëzhgimi për vizitorët të cilët mund të shikojnë jashtë përmes një zemre të madhe. Nga aty njerëzit mund të bëjnë foto me pamje spektakolare të cilat do të konkurrojnë denjësisht ato të shkrepura në Rio de Janeiro.

Për statujën e Rio de Janeiros u deshën shumë vite për t’u ndërtuar, por puna e palodhur u shpërblye duke u shndërruar në ikonën e qytetit dhe një nga mrekullitë e botës.

Tv Klan