Do të presë pacientët nga java e ardhshme

Autoritetet shëndetësore të vendit shprehen se janë të gatshëm për të absorbuar numër më të madh të pacientëve në pikun që pritet kah fundi i Prillit, është shprehur Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Spitali mobil i vendosur në afërsi të Klinikës për Sëmundje Infektive është i gatshëm të pranojë pacientë me koronavirus. Në këtë spital, sipas Ministrit të Shëndetësisë Venko Filipche, do të ketë 130 shtretër. Në vendosjen e saj, që zgjati shtatë ditë, ishin kyçur qyteti i Shkupit, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Mbrojtjes.

“Ky është vendi ku vendosëm se është më së miri të ketë numër të mjaftueshëm të shtretërve, për shkak se këtu është Qendra e Ekspertizës, janë Specialistët e Mjekësisë Infektive, Motrat Medicinale duke llogaritur edhe ekipin rezervë të klinikave tjera. Vënia në funksion do të jetë gjatë javës së ardhshme dhe shpresojmë se nuk do të ketë nevojë të përdoret”.

Gjatë vizitës së Spitalit mobil, ishte e pranishme edhe Ministrja e Mbrojtjes, Radmila Sheqerinska, e cila saktësoi se në Armatë po zbatohen rekomandimet e autoriteteve.

“Unë i kam informatat vetëm për dy raste të konfirmuara. Megjithatë mendoj se caktimi i lokacionit është i rëndësishëm për epidemiologët, jo aq në përgjithësi. Armata, ndoshta edhe MPB-ja dhe institucione të tjera ku ka të punësuar numër të madh të personave, me përqendrim të lartë, shanset për t’u infektuar sigurisht që ekzistojnë. Megjithatë ne në Armatë i kemi zbatuar rregullin e rotacioneve të vazhdueshme, pikërisht që shmanget kjo situatë e përhapjes së infeksioneve.

Spitali mobil është vendosur në vendin e ish-Shtëpisë së Studentëve “Medicinar”, ku qyteti i Shkupit ka bërë rregullimin e hapësirës.

“Me përpjekje çnjerëzore duke punuar edhe natën, së pari arritëm ta pastrojmë këtë hapësirë që ishte rrënuar e që paraqiste një problem shumë dekadësh në Qendrën Klinike, ta përgatisim bazamentin dhe në afat rekord ta vendosim këtë spital mobil”.

Me vendosjen në funksion të spitalit mobil, autoritetet shëndetësore presin që Klinika Infektive t’i plotësojë nevojat për trajtim spitalor të pacientëve. Spitali është donacion nga Armata norvegjeze, kurse vendndodhja e tij, sipas autoriteteve do të ndihmojë në mjekimin në kohë të pacientëve për shkak të afërsisë me Klinikën Infektive, ku punojnë numri më i madh i infektologëve në vend.

Tv Klan