Emisioni “Stop” është pozicionuar në banesën e Vladimir Sinjari, banor i moçëm i lagjes Goricë, Berat, i cili kërkon ndihmë. Midis banesës së tij dhe asaj të fqinjës, ndodhet ish-shkolla e vjetër, monument kulture i kategorisë së dytë.

Sipas qytetarit, fqinja në oborrin e kësaj shkolle, ka ndërtuar tarraca dhe shkallë prej guri që i lidhin ato, pa autorizim dhe duke cenuar drejtpërdrejt banesën e tij.

Vladimir Sinjari, denoncuesi: Fqinja ime që është në krahun e djathtë në pronën që ka këtu ish-shkolla e Goricës, ka bërë ndërtime që jo vetëm cenojnë pronën time, por edhe prishin strukturën arkitektonike të lagjes muzeale Goricë. Janë ndërtuar mure më të larta se ç’duhet  dhe ngjitur me pronën time, është prekur muri me pronën time. Dhe kjo më pengon mua në objektin e shtëpisë sime. Këto nuk kanë ekzistuar, absolutisht nuk kanë qenë. Janë bërë tani këto shkallë për efekt të planit si e mendon zonja që është në pronësi. Zakonisht këto rrjeta vihen kur bëhen punime, punimet këtu hë për hë nuk po bëhen, mua më zë pamjen e Magalemit. Tani që zonja e privatizoi këtë objekt të kategorisë së dytë, po bën punime të cilat e prishin i humbasin vlerat. 

Familja Sinjari, duke parë, që fqinja po rriste lartësinë e mureve, me këtë shkresë të datës 6 shtator 2023, vë në dijeni Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat. Drejtori, Jurgen Pushi nuk e mori kurrë në konsideratë këtë kërkesë, por u detyrua t’i kthejë përgjigje IKTK, duke i thënë, se drejtoria është vënë në dijeni nga qytetari më 6 shtator. Sidoqoftë, Pushi i tregon Institutit, se fqinja ka realizuar punime për sistemimin e oborrit të tarracuar, me miratimin e Bashkisë Berat. Ai  shprehet, se një pjesë e shkallëve, janë ndërtuar me murin ndarës të dy banesave. Pra, sipas drejtorit, nuk kemi të bëjmë me asnjë shkelje.

Vladimir Sinjari, denoncuesi: Fillimisht kontaktet kanë qenë fillimisht verbale për të ardhur për të ndjekur këto punime, më pas edhe me dokumente me shkrim ende pa ardhur në këtë formë që janë tani. Është vënë në dijeni në kohën e duhur për këto gjëra që po bëhen dhe thonë që kur të mbarojnë këto gjëra zonja do të paraqesë projektin dhe ne do të gjëmë një marrëveshje. Çfarë marrëveshje mund të bëhet tani kur çdo gjë ka marrë fund. Drejtori ka qenë fizikisht, i ka parë këto gjëra.

“Stop” shkoi pranë Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Berat për t’u takuar me drejtuesin e këtij institucioni, Jurgen Pushi.

Juristja: Mesa di unë, ai ka një mbledhje në Prefekturë. Rreth orës 12:00, do të ishte e përshtatshme për ju?

Vladimir Sinjari, denoncuesi: Kjo është neglizhenca e drejtuesit të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat.

Pasi takimi me drejtorin Jurgen Pushi nuk u realizuar Stop shkon për të disatën herë tek shtëpia e fqinjës së Vladimir Sinjarit, Greta Kajana, por ajo nuk ishte në shtëpi. Ndërkad drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore  në Berat telefonoi vetë.

Jurgen Pushi, drejtor i DRTK Berat: Nuk kam mundësi t’ju takoj, se jam nga njëra mbledhje në një mbledhje, por për kërkesën tuaj, mu drejtoni me një kërkesë zyrtare dhe do ju vijë përgjigja në rrugë zyrtare!

Gazetari: Si e keni lejuar ju ndërtimin e këtij objekti kur ju jeni vënë në dijeni që në Shtator?

Jurgen Pushi, drejtor i DRTK Berat: Të lutem, se jam në  mbledhje! Po ju flas nga mbledhja.

Gazetari: Drejtor, e dini, që do të ndiqeni penalisht sepse keni lejuar të ndërtohet një objekt kur ju jeni vënë në dijeni?

Jurgen Pushi, drejtor i DRTK Berat: S’ka problem! Do merrni përgjigje me shkrim për këtë.

Emisioni “Stop” i është drejtuar në një mënyrë zyrtare ku ka kërkuar përgjigje zyrtare nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore lidhur me këtë problematikë, pse nuk është marrë asnjë masë nga Drejtori Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat.

“DRTK Berat ka kryer inspektime në terren dhe i është drejtuar me shkresë Familjes Kajana duke i kërkuar marrjen e masave për rivendosje  e situatës dhe kthimin në gjendjen e mëparshme brenda dy javëve nga marrja e dijeni e shkresës. Familja Kajana ka shprehur pretendimet e saj me anë të një shkrese ku sqaron se nuk ka kryer asnjë punim në kundërshtim me ligjin. Bazuar në këto konstatime, IKTK i drejtohet DRTK Berat me anë të një shkrese ku kërkon marrjen e masave dhe respektimin e dispozitave ligjore në fuqi për rivendosjen në gjendjen e mëparshme. Në përfundimin e afatit për kthimin në gjendjen e mëparshme, duke parë që situata në terren vijon të jetë e njëjtë, DRTK Berat i është drejtuar me kërkesën për bashkëpunim Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit Tiranë, nga ana e të cilëve akoma nuk ka një përgjigje,” shkruhet në përgjigjen e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Pas interesimit të emisionit “Stop” pranë  Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit Berat i është drejtuar drejtorit  Jurgen Pushi me kërkesa të vazhdueshme për marrje masash. Edhe pse kanë kaluar disa muaj nga ndjekja e këtij problemi sërish duket se ai nuk ka marrë zgjidhje.

“Erdhën dy dokumente nga IKMT e Tiranës dhe IKMT e Beratit në bashkëpunim me DRTK Berat, kishin ngritur një grup pune më 1 Mars 2024 dhe i kishin lënë afat zonjës për shkallët që janë të paligjshme,” tha denoncuesi.

Gazetari: Pse kjo zvarritje?

Vladimir Sinjari, denoncuesi: Po këto institucione kemi. I Zoti e shet, tellalli s’e jep.

Ndërkaq Jurgen Pushi është larguar nda detyra si drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore  në Berat.

Vladimir Sinjari, denoncuesi: Ka ardhur një zonjë tjetër, por që edhe ajo, jo vetëm që këtë qëndrim mban, nuk e zbaton ligjin, por as denjon të të presë në zyrë, por te dera e zyrës, të rrish përjashta sepse është zyra ime thotë.

/tvklan.al