Filda Heta, zonja që kishte vilë dykatëshe në Rrugën e Bogdanëve dhe mbeti me ‘gisht në gojë’ nga marrëveshja me ndërtuesin, tregon edhe për një tjetër konflikt me komshiun, që u bë ndërtues Eduard Kelmendi.

Në 2014-ën familja Heta bie sërish viktimë e një mashtrimi, kësaj radhe nga investitori Gëzim Papinova i firmës G2 SHPK. Familja Heta i dha një dyqan 31 m2 Papinovës, për të ndërtuar një pallat.

Sipas marrëveshjes, ky dyqan u vlerësua 90 mijë Euro, ku 30 mijë Euro ishte kapari, që iu tha familjes Heta.

Në këtë moment, komshiu Eduard Kelmendi, njëkohësisht drejtues teknik i G2 i paguan shumën 30 mijë Euro familjes Heta, për llogari të firmës, jo të tijën.


“Ngjitur me oborrin e shkollës “Avni Rustemi”, kjo dikur ka qenë pronësi e babit, edhe pjesa e shkollës, kështu që shteti atëherë na e pati marrë. Me anë të kthimit, kompensimit të pronave po Bashkia e Tiranës na jep një truall dhe leje ndërtimi për të bërë një ndërtesë sepse nuk e pengonte funksionin e shkollës “Avni Rustemi”. Leja është dhënë në vitin 1996. Dyqani ishte 31.5 (metra katrorë). Në vitin 2014 ne bëmë një kontratë sipërmarrjeje me një ndërtues firma G2 me përfaqësues ligjor Gëzim Papinovën. Në momentin që kemi bërë marrëveshjen, ndërtuesin na e solli një komshiu jonë, Eduard Kelmendi, që ishte edhe inxhinieri i kësaj firme”, tha denoncuesja.

Marrëveshja, që pati familja Heta me sipërmarrësin Gëzim Papinova nuk u respektua dhe në këtë moment del në skenë komshiu Eduard Kelmendi, i cili në mënyrë të çuditshme u bë pronar pa pasur pronë.

Me dokument të falsifikuar, Eduard Kelmendi arriti që të bëhet edhe pronar me hipotekë për dyqanin e familjes Heta, duke kërkuar më pas nga bashkia prishje të dyqanit, për të liruar sheshin e ndërtimit.

“Marr dokumentet tek noterja, të freskuara dhe shoh që kishte falsifikuar akt-marrëveshjen. Kishte marrë nga noterja, akt-marrëveshjen e 2014. Ka vënë frimën e tij dhe e ka paraqitur në të gjitha institucionet, në komisariat 3, në Gjykatën Administrative, në Bashkinë e Tiranës dhe kudo”, tha denoncuesja.

Në fund, zonja Filda Heta, nga pronare autoktone tiranase, doli borxhlie me ndihmën e gjyqtares Irena Plaku.

Sot Eduard Kelmendi i kërkon zonjës Heta 14 milionë Lekët, që ai pagoi përfaqësues i firmës G2 në vitin 2014. Situata ka arritur deri te shantazhet e kërcënimet në vendin e punës së zonjës.

“Më ka kërkuar 14 milionë Lekët që unë i kam marrë në emër të Gëzim Papinovës, del ky person, Eduard Kelmendi, më kërcënon në institucionin ku unë punoj, më kërcënon në rrugë, më sjell letra me postë, shantazh, thotë ti do më japësh 14 milionë lekët mua. I thashë, qetësohu se nuk kam asnjë kontratë me ty”, u shpreh denoncuesja.

Filda Heta: Këtu tek puna ime, këtu, të lutem s’ke punë…! Të lutem Eduard, drejtoju gjykatës, n.s.q ke ndonjë problem me mua! Dil tani nga dera! Largoju..!

Komshiu Eduard Kelmendi: Ti do shkosh në prokurori, o do bish lekët nji më nji,  o s’ka…!

Filda Heta: Për këto veprime të pandërgjegjshme, unë direkt tek organet kompetente.

Filda Heta: Ccdo këtu tek puna ime? Po më shqetëson…

Filda Heta: Këtu tek puna ime, këtu të lutem, s’ke punë…Të lutem Eduard drejtoju gjykatës, n.s.q ke ndonjë punë me mua!

Komshiu Eduard Kelmendi: Çfarë je ti mi..?

Punonjësja e institucionit: Të lutem, se ne kemi pacientë, që shqetëson me këtë gjë! Mos u sill kështu!

Filda Heta: Këtu tek puna ime, këtu të lutem, s’ke punë…! Të lutem Eduard drejtoju gjykatës, n.q.s ke ndonjë punë me mua!

Komshiu Eduard Kelmendi: Ti s’u tregove e sinqertë…, jam dhe unë nëpunës i vjetër i shtetit, prandaj kujdes kur flet!

Filda Heta: Deshte të më kapte me zor, të më çonte tek noteri. Unë ty nuk të kam asnjë lloj borxhi. Po çfarë njeriu je ti, mo?

Komshiu Eduard Kelmendi: Bjer 14 milionëshin…!

Filda Heta: Po ti s’je njeri! A po e kupton çfarë veprime po bën, apo jo?

Komshiu Eduard Kelmendi: 14 milionëshin do ta biesh në mënyrë urgjente, n.s.q nuk do… Leri llafet…!

Filda Heta: Hej! A je në rregull nga mëndja? A je në rregull nga mëndja?/tvklan.al