Ndërtuesit ia thanë publikisht Ministrit të Financave, se janë kundër ligjit të miratuar pak ditë më parë në parlament, që i detyron ata të japin një pjesë të sipërfaqes së ndërtimeve të tyre për strehimin social.

Ministri Ahmetaj pranoi atë që flitej në rrethin e biznesit të ndërtimit, se pjesa që ndërtuesit do të duhet të japin për banesa sociale është 3 % e sipërfaqes së ndërtimit, për ndërtime mbi 2 mijë metër katrorë. Por ai u premtoi ndërtuesve se do të kenë lehtësira të tjera.

Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Luigj Aleksi tha se shteti mund të kërkojë ndihmë sociale nga biznesi, por jo t’i detyrojë ata që të paguajnë dy herë kontribute për shoqërinë.

Në ligjin e miratuar në parlament thuhet se ndërtuesit do të japin jo më pak se 50 metër katrorë për sipërfaqe mbi 2 mijë metër katrorë, jo detyrimisht në të njëjtin ndërtim për të cilin marrin lejen. Nga ana tjetër, qeveria thotë se do të zgjidhë me paketën e re fiskale, të cilën ka nisur ta diskutojë me biznesin, një problem të vjetër të sektorit të ndërtimit, ku pronari i truallit do të duhet ta paguajë vetë Tatimin mbi Fitimin dhe jo më investitori.

Tv Klan