Policia e Tiranës ka shtuar masat për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes së sotme mes Teuta – Tirana, finale e kupës së Shqipërisë, që do të luhet në orën  20:00, në stadiumin “Air Albania”.

Mësohet se masat do të jenë të njëjta si në ndeshjen Tirana – Bylis, ku do të përfshihen masa teknike dhe organizative në një zonë më të gjerë se perimetri i stadiumit, me qëllim sigurimin e rendit dhe të sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit, duke synuar jo vetëm mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, por dhe moslejimin e grumbullimit të tifozëve, si masë parandaluese për përhapjen e infeksionit COVID-19.

Në kuadër të këtyre masave të parashikuara informojmë policia iu drejtohet qytetarët e Tiranës se:

-Do të lejohen të futen në stadium vetëm ata persona të caktuar nga ekipi dhe FSHF, sipas protokollit sanitar “Për organizmin e ndeshjeve të futbollit”. Nëse do të konstatohen shkelje të protokollit do të ndërhyjë dhe do të vendosen masa administrative sipas aktit normativ ndaj të gjithë personave përgjegjes.

-Nuk do lejohen grumbullime të tifozëve në sheshe apo në ambientet përreth. Në rast grumbullimi Policia do të ndërhyjë për shpërndarjen e tyre.

-Gjithashtu do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, në të cilat nuk do lejohen të lëvizin as mjetet dhe as këmbësorët.

Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 17:30 deri në përfundim të aktivitetit, janë:

– Rruga përreth stadiumit “Lek Dukagjini”, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca, sheshi “Nënë Tereza” deri te sheshi “Shopen”, si dhe sheshi para Universitetit Politeknik.  /tvklan.al