Policia e Elbasanit ka marrë masat për garantimin e rendit dhe sigurisë për ditën e nesërme gjatë ndeshjes Shqipëri-Andorra në Elbasan në orën 20:45.

Duke filluar nga ora 12:00 e ditës së nesërme, nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve në rrugën “Kamber Sejdini”, nga kryqëzimi i bulevardit “Qemal Stafa” deri tek Kryqëzimi i Tapetave.

Po kështu, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Aqif Pasha” dhe bulevardin “Qemal Stafa”, pasi  krahu i djathtë i stadiumit do të përdoret për parkimin e autobusëve të ndryshëm që vijnë të organizuar me tifozë.

Vendparkimet e mjeteve të UEFA-s, të mjeteve të tifozëve miq, si dhe vendparkimet me autorizim do të jenë para sheshit të stadiumit. Bulevardi “Qemal Stafa” dhe unaza e qytetit do të përdoren për qarkullimin e mjeteve.

Rrugëkalimi nga Kryqëzimi i Tapetave, ish-konservimi deri në dalje në unazë dhe në spitalin rajonal Elbasan do të shfrytëzohet për emergjencat që mund të lindin gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti. Po kështu do të mbyllen edhe lokalet që ndodhen brenda perimetrit të sigurisë.

Sa i përket tifozëve, nuk duhet të kenë sende të forta, shishe të ndryshme, monedha apo metale dhe çelësa të ndryshëm. /tvklan.al