Incidenti i ndodhur në stadiumin e Shkodrës në Nëntor 2016 gjatë ndeshjes me Izraelin, ka bërë që Policia e Shtetit të marrë masa të forta për të garantuar ndeshjen e së premtes në stradiumin “Elbasan Arena”.

Sfida Shqipëri-Izrael do të luhet nën kushte të rrepta të sigurisë, ku do të angazhohen 670 forca policore të FNSH, RENEA, Delta, njësia antieksploziv, policia kriminale e kufitare.

Policia e Shtetit thotë se struktura të specializuara të saj po monitorojnë rrjetet sociale dhe burime të tjera të hapura, për të identifikuar individët dhe grupet që mund të bëjnë thirrje për nxitjen e fenomenit të ekstremizmit të dhunshëm apo akteve të tjera kriminale.

Nga ajri do të bëhet monitorimi i stadiumit dhe rrugëve e ambienteve të tjera përreth. Për kontrollin e tifozëve, biletave, sendeve të forta, si dhe orientimin e mbështetësve të ekipeve, janë përcaktuar 7 pika hyrëse pranë stadiumit, të cilat do menaxhohen nga shërbimet e policisë dhe Repartet e Ndëhyrjes së Shpejtë, me qëllim identifikimin nominal të tifozëve, që do hyjnë në stadium, por edhe në rast prishjeje të rendit apo krijimit të konfuzionit nga sportdashës të ndryshëm.

Policia e Shtetit u bën thirrje gjithashtu tifozëve se do të ndalohen në stadium parrulla, pankarta apo provokime që nxisin urrejtjen, fishekzjarre e flakadanë, maska, shishe, pije alkoolike etj.

Në stadium do të jetë funksional sistemi i lajmërimit të publikut, i aftë të dëgjohet edhe mbi zhurmën e turmës, brenda dhe jashtë mjedisit sportiv.

Sportdashësit duhet të paraqiten në stadium 3 orë para fillimit të ndeshjes, për të akomoduar në tribunat sipas biletave që kanë blerë, për të lehtësuar punën e Policisë së Shtetit dhe të “stjuartëve”, për kontrollin dhe hyrjen në kohë në stadium. Ndërsa  lokalet në afërsi të stadiumit, prej orës 14.00 të datës 07.09.2018, do të mbyllen.

Policia Rrugore do të mbikëqyrë trafikun rrugor në akset drejt dhe në qytetin e Elbasanit, aksin nga Tirana, si dhe shoqërimin e personaliteteve të larta shtetërore, ekipit kombëtar të Shqipërisë dhe të Izraelit. Kontrolle në këto akse rrugore do të ketë edhe me radarë për matjen e shpejtësisë, apo kontrolle për të identifikuar drejtuesit e automjeteve që konsumojnë alkool.

Do bëhet bllokimi i disa segmenteve rrugore, të cilat janë bërë publike nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, ndërsa në sheshin para stadiumit, do të lejohen të parkohen vetëm automjetet e pajisura me autorizimin përkatës nga Federata Shqiptare e Futbollit.

/tvklan.al