Gjobë për depot e farmacitë, rriten çmimin e maskave e dezinfektantëve



Gjobë për depot e farmacitë, rriten çmimin e maskave e dezinfektantëve

15:50 15/10/2020

Konkurrenca publikon hetimin, nuk njofton depot për rezultatet

Ditën që mbajtja e maskës është bërë e detyrueshme, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur gjobë për 24 depo të furnizimit të tregut farmaceutik me materiale paramjekësore.

Ndëshkimi i kompanive sipas argumenteve të Komisionit të Konkurrencës është bërë për shkak të rritjes së pajustifikuar të çmimit të maskave, dezinfektantëve dhe alkoolit.

Për 14 kompani është marrë vendimi me gjobitjen me 1 milion lekë të rinj për shkelje të konkurrencës dhe sjellje të bashkërenduar në rritjen e çmimit, ndërsa 10 depo të tjera farmaceutike janë ndëshkuar me 2 milionë lekë të rinj sepse kanë refuzuar të japin informacion pranë Autoritetit të Konkurrencës kur nisi hetimi për rritjen e çmimeve të këtyre produkteve.

Konkurrenca po ashtu ka vendosur të nisë hetim të thelluar këtij tregu nga nëntori i vitit të kaluar deri në shtator 2020, përveç hetimi paraprak që filloi në muajin Mars, i cili u mbyll me këto ndëshkime.

Po ashtu Komisioni i Konkurrencës ka ndëshkuar me gjobë deri në 10% të xhiros një kompani të madhe që furnizon tregun me vaksinën e gripit INFLUVAC SUB-UNIT TETRA, pasi ka shitur këtë barnë vetëm te rrjeti i farmacive ku zotëron vetë 75% të aksioneve.

Te kontaktuar nga Televizioni Klan, përfaqësues të Urdhrit të Farmacisteve nuk ishin të arritshëm për një koment deri në këto momente, por njëra prej kompanive të gjobitura tha se po njihej me vendimin përmes medias dhe jo nga Autoriteti i Konkurrencës, ndërsa pohoi se dhe depove të tjera vendimi nuk u kishte shkuar ende zyrtarisht.

Depoja shtoi se ligji i lejon të ketë një marzh fitimi mbi produktet që shet deri në 24%, ndërsa për këtë vit ka mbajtur një marzh prej 15%. Për këto arsye kompania tha se gjoba ishte e padrejtë dhe se do ndjekë rrugën ligjore të ankimimit të vendimit.

Tv Klan




Të ngjashme