Ministri francez i Mjedisit Nicolas Hulot ka dhënë dorëheqjen në një emision të drejtpërdrejtë në radio, në një njoftim që ishte i papritur edhe për Presidentin Emmanuel Macron.

Ish prezantuesi televiziv dhe aktivisti tha se kishte hequr dorë nga zhgënjimet e njëpasnjëshme në përpjekjet për të adresuar ndryshimet klimatike dhe kërcënimet e reja mjedisore.

Hulot tha se ndihej “i vetëm” në qeveri. Ai tha se vendimin e kishte marrë menjëherë, madje as bashkëshortja e tij nuk ishte në dijeni.

 “Do të marr…vendimin më të vështirë të jetës sime”

, tha ministri në një intervistë France Inter.

“Po marr vendimin të heq dorë nga posti im në qeveri”.

Hulot tha se ai nuk i kishte thënë Presidentit Macron apo Kryeministrit Edouard Philippe, sepse mendonte se ata do të përpiqeshin ta diskutonin vendimin e tij. Hulot është një figurë popullore në Francë dhe korrespondentët e BBC thonë se largimi i tij është një goditje e madhe për Macron.

Zëdhënësi i qeverisë Benjamin Griveaux tha se i vjen keq për dorëheqjen e Hulot.

 “Nuk e kuptoj pse ai po largohet kur kemi pasur shumë arritje në vitin e parë falë tij

”, tha ai për televizionin francez BFM TV.

Dorëheqja vjen një ditë pasi qeveria njoftoi se ishte zbutur sanksionet në sektorin e gjuetisë. Hulot tha se ky vendim e kishte bërë atë të kuptojë për fuqinë e lobistëve.

Ai gjithashtu tha se ishte i irrituar nga “hapat e vegjël” që merren në lidhje me ndryshimet klimatike dhe për faktin se “kjo temë është gjithnjë në fund të listës së prioriteteve”.

Por ministri tha se donte që dorëheqja e tij të shihej si një këmbanë zgjimi.

“Shpresoj që veprimi im nuk është thjesht një akt dorëheqje, por mobilizimi

”, tha ai.

Prezantuesi i mirënjohur i një programi mbi aventurat televizive, Hulot ka bërë fushata për mbrojtjen e mjedisit për dekada të tëra.

Macron ishte presidenti i parë që e bindi ambientalistin popullor për t’u bashkuar me qeverinë e tij pasi Hulot refuzoi ftesat e mëparshme nga Jacques Chirac, Nicolas Sarkozy dhe François Hollande./tvklan.al