Dhurohen qindra mijëra Euro për familjet e pastreha

Edhe pse ka kaluar mbi një javë nga tërmeti shkatërrimtar i 26 Nëntorit që i mori jetën 51 personave dhe që shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale, ndihmat nga jashtë për Shqipërinë nuk reshtin.

455 mijë Euro ndihma ka vendosur të dërgojë Karitasi Zviceran në ndihmë të familjeve të prekura, të cilat do të shpërndahen në koordinim me Karitasin Shqiptar. Një avion ushtarak transporti me ndihma emergjence vjen edhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe, nën kujdesin e posaçëm të Princit të Kurorës Sheikut, Mohamed bin Zajed al Najan.

Ekspertë të ushtrisë izraelite të trajnuar për raste katastrofash mbërritën këto ditë në Shqipëri për të ndihmuar në ngritjen e njësive të akomodimit, por edhe në procesin e rindërtimit. Ata kanë dhënë ndihmën e tyre edhe në raste të tjera tërmetesh, edhe më të fuqishëm, në gjithë botën. Në një video të postuar online, Forcat e Armatosura izraelite thonë se janë krenarë që ndihmojnë miqtë e tyre shqiptarë në këtë moment që ata kanë nevojë.

Kamionë me ndihma kanë ardhur edhe nga Turqia, ndër vendet e para që ofruan ndihmë për Shqipërinë me angazhimin e menjëhershëm të Presidentit Erdogan për ndërtimin e 500 banesave për familjet e pastreha.

Tv Klan