Shqipëria ndër vendet me mbështetjen më të ulët sektoriale në Europë

Ndihma shtetërore e dhënë nga qeveria gjatë periudhës së pandemisë në vitin 2020 është 7-fishuar krahasuar me vitet e tjera, e orientuar më shumë drejt shtresave në nevojë dhe jo sektorit të biznesit.

Sipas raportit zyrtar të Ministrisë së Financave, në total gjatë vitit të shkuar janë dhënë 248.5 milionë Euro ndihmë nga shteti, kundrejt 388.5 milionëve të dhëna në vitet e fundit.

Qeveria pranon se ndihma nuk ka patur në fokus subvencionimin e sektorëve të veçantë për t’i bërë më konkurrues në tregjet e jashtme, por ka qënë në formë horizontale, me qëllim asistimin e kategorive të varfra dhe shtresave që humbën vendin e punës.

Ndihma mesatare që jep çdo vit qeveria në Shqipëri për të stimuluar degë të caktuara të ekonomisë arrin në 33 milionë Euro ose sa 0.34% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke rezultuar ndër më të ultat në Europë.

Rritjen më të lartë ndihma sektoriale e ka patur në vitin 2019-ës, me mbështetje si me programe edhe me politikë fiskale favorizuese për industrinë turizmit.

Instrumenti më i përdorur i ndihmës shtetërore deri më sot është ai garancive sovrane, i ndjekur nga subvencionet e grantet, ndërsa përjashtimet nga taksat zënë 8% të mbështetjes nga shteti. Dhënia e kredive të garantuara nga buxheti i shtetit do të vazhdojë edhe në të ardhmen për sektorin e manifakturës dhe turizmit.

Tv Klan