Një incident është regjistruar në qytetin e Elbasanit mbrëmjen e sotme, ku një automjet i dyshimtë është ndjekur nga policia.

Uniformat blu i bënë shenjë makinës të ndalonte, por shoferi nuk iu bind urdhrit. Policia u vu në ndjekje të mjetit dhe gjatë këtij momenti, një prej pasagjerëve që ndodheshin në automjetin e dyshimtë, hodhi një pllakë guri në drejtim të furgonit të policisë.

Për pasojë pati vetëm dëme materiale në xhamin e makinës së policisë. Kurse automjeti i dyshimtë u përplas me një shtyllë gjatë tentativës për t’u larguar. Pasagjerët dhe shoferi u kapën dhe janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit për t’u marrë në pyetje.

Nga burimet policore mësohet se ka patur dyshime që brenda mjetit mund të kishte lëndë narkotike, por nuk u gjet asgjë e paligjshme. /tvklan.al