Rama: Është homazh i denjë për firmëtarët

Parku i Pavarësisë në Vlorë ka marrë formë përfundimtare. Punimet u inspektuan nga Kryeministri Edi Rama, i cili pa nga afër edhe realizimin e idesë së tij për të jetësuar firmëtarët e Pavarësisë në pllakata bronxi që ndriçojnë, të dizenjuara prej tij vetë.

“Kjo është qershia mbi tortë… Këtu kemi firmëtarët e pavarësisë të kthyer në xixëllonja, që shkëlqejnë çdo mbrëmje”.

Ai theksoi se ky park jo vetëm që nderon aktin e Pavarësisë, por edhe do të shërbejë si një libër i hapur për të gjithë ata që duan të njohin firmëtarët e pavarësisë.

“Është një homazh mendoj i denjë dhe i shërben gjithë vizitorëve edhe atyre që vijnë nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, nga diaspora, por edhe fëmijëve sepse është si libër i hapur i faqes, në faqen ku janë gjithë firmëtarët e pavarësisë”.

Parku që lidh pjesën e brendshme të qytetit me Lungomare do t’i shërbejë jo vetëm qytetarëve vlonjat, por synohet të kthehet edhe në një atraksion më shumë për turistët vendas e të huaj që pushojnë në qytetin bregdetar.

Tv Klan