Ministrja Elisa Spiropali komentoi këtë të enjte nga foltorja e Kuvendit vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, për të shpallur “non grata” ish-Kryeministrin Sali Berisha.

“Dënimi kapital i Sali Berishës nga aleati ynë më i madh strategjik nuk më lumturoi aspak. Përkundrazi, provoj keqardhje të thellë, që tmerre dhe turpe të tilla kanë ndodhur në vendin tim. Ndjeva keqardhje që zullumet e ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të vendit tim, familjes së tij dhe aleatëve të tij politikë, mbushën botën anembanë. Keqardhje që Sali Berisha hyri në jetën e ndryshimeve demokratike të Shqipërisë me vendosmërinë e një shqiponje dhe po del i turpëruar. Keqardhje që deliri i Sali Berishës për madhështi dhe energjia e tij nuk qëndruan, nuk vazhduan, por u zhbënë nën trysninë e dukurive të padenja, të klanit të tij familjar, rrethit të tij klientelist, të etur për të marrë e vrarë. Keqardhje që karizmën e tij të lindur prej lideri, Berisha nuk e përdori kurrë për të bashkuar, pajtuar, shëruar plagë të vjetra dhe të reja, por vetëm për të futur thikën e përçarjes thellë e më thellë, ndër shqiptarë veri-jug, Shqipëri-Kosovë… Ndjeva keqardhje që përveç bëmave korruptive të Sali Berishës i sillet në vëmendje në këtë dokument retorika politike që ka përdorur për mbrojtjen e aleatëve në hetime. Aleati më i madh dihet kush është…”

Reagimin e Bashës, e konsideroi për të qeshur e për të qarë.

“Reagimi i Lulzim Bashës, që nuk po di nga t’ia mbajë dhe të PD që s’po gjen derman, ishte për të qeshur dhe për të qarë. Ata që nuk kanë lënë kundërshtar pa shpallur kriminel e trafikant pa asnjë provë e asnjë vendim, sot duan prova, nga Departamenti i Shtetit për vendimin e shpallur botërisht. Vetë reagimi i Lulzim Bashës që duket si i shkruar me bojën e Sali Berishës dhe dorën e tij, është prova se Sala dhe Luli janë dy krijesa simbiotike që vështirë që gjallojnë pa njëri-tjetrin jashtë pengmarrjes reciproke.”/tvklan.al