Një i ri shqiptar është vënë në pranga nga autoritetet italiane. Megjithatë mediat shkruajnë se puna për kapjen e tij nuk ka qenë e lehtë, madje i ngjason skenarëve të filmave aksion.

32-vjeçari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, u ndalua në Prato. Ai po udhëtonte me një makinë Volkswagen Passat dhe u ndalua për një kontroll të rastësishëm.

“Por ku policët i kërkuan të hapte bagazhin ndodhi fundi i botës”, shkruan La Nazione.

32-vjeçari shkeli gazin për t’u arratisur, pa pasur parasysh se në rrugë kishte mjete të tjera apo edhe semafor. Mësohet se ai tentoi të përplaste  edhe policët.

Duke parë situatën e tillë, një prej agjentëve ka qëlluar me armë drejt makinës së shqiptarit. I riu u drejtua drejt Romës, por në rrugën “Fiorentina” u bllokua dhe la makinën për t’u arratisur në këmbë. Mirëpo kjo zgjati shumë pak, pasi u vu në pranga.

Pas kontrollit u zbulua arsyeja e vërtetë e kësaj çmendurie të shqiptarit. Ai mbante  në makinë 26 pako me kokainë, rreth 30 kilogramë.

Gjithashtu kishte 140 mijë Euro. Në shtëpi iu gjetën 30 mijë Euro të tjera dhe 6 telefona. Ndaj tij rëndon akuza e kundërshtimit të zyrtarit publik dhe mbajtje të sasive të mëdha lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen.

Po vijojnë hetimet, por bëhet e ditur se nëse kjo sasi do të dilte në treg e përpunuar do të sillte për shqiptarin, ose grupin për të cilin punonte fitime të papërshkrueshme deri në 3 milionë euro./tvklan.al