Aktore me kohë të plotë, këngëtare, sipërmarrëse dhe nënë e dy fëmijëve. Ryva Kajtazi është një nga vajzat që në pamje të parë i ka të gjitha, por asgjë nuk vjen lehtë. Në “Rudina” në Tv Klan, ajo ndalet në një moment të vështirë të jetës, pak para se të kishte familjen që e ka dëshiruar aq shumë. Dy aborte spontane të pasuara nga shtatzëni aspak të lehta, Ryva i ndan në programin e pasdites.

Ryva Kajtazi: Normalisht është traumë ajo që një nënë që pret fëmijën e vet, sigurisht është dhimbje e madhe por shyqyr Zotit kam dy fëmijë dhe është arritja më e madhe në jetë për mua. Aborti që ndjeva dhimbjen më të madhe ka qenë para vajzës sepse isha në muajin e katërt të shtatzënisë, mësova gjininë dhe ishim shumë të lumtur. Përpos kësaj kishim vite që donim të kishim një fëmijë dhe s’po ia dilja dot.

Shtatzënitë i kisha jashtëzakonisht shumë të vështira, të rënda dhe nëse nuk je një femër e fortë e me disiplinë të madhe, në rastin tim nuk do e kishim çuar deri në fund. Me përkrahjen e familjarëve që më kanë ndenjur te koka non stop sepse isha e shtrirë, 5-6 muaj s’kam lëvizur fare, në regjim shtrati dhe ia dola, më bekoi Zoti me Dorelën.

Ajo shton se kur e ka rrëfyer këtë ngjarje për herë të parë ka marrë mesazhe mbështetëse ose që ndanin të njëjtën histori me të, me të cilët ajo ka komunikuar për t’i këshilluar bazuar në eksperiencën e saj./tvklan.al