Ministria e Jashtme ka bërë të mundur riatdhesimin e 19-vjeçarit shqiptar i cili ndodhej në rrezik në Sierra Leone.

Në bashkëpunim me autoritetet vendase dhe partnerët ndërkombëtarë, MEPJ bëri të mundur kthimin në shtëpi të 19-vjeçarit, i cili gëzon shëndet të plotë.

Rasti u bë i ditur nga nëna e tij që para pak ditësh kërkoi ndihmë në institucionet përkatëse.

“Një histori shprese dhe angazhimi i përbashkët! Pas disa ditësh përpjekjesh intensive, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) e Shqipërisë ka arritur të realizojë me sukses riatdhesimin e një të riu shqiptar, i cili ndodhej në rrezik në Sierra Leone.

Kërkesa për ndihmë erdhi nga e ëma e 19-vjeçarit, F. T., disa ditë më parë, dhe MEPJ e mori menjëherë nën shqyrtim situatën. Nëpërmjet kanaleve diplomatike dhe me mbështetje të koordinuar me autoritetet vendase dhe partnerët ndërkombëtarë, u mundësua një reagim i shpejtë dhe i efektshëm.

Me përpjekjet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Brendshme, operacioni u përmbyll me sukses brenda një periudhe të shkurtër, duke bërë të mundur që i riu të kthehej i sigurt dhe i shëndetshëm pranë familjes së tij.

MEPJ shpreh falënderimet më të sinqerta për të gjithë autoritetet që morën pjesë në këtë operacion dhe siguron se do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të palodhur për shtetasit shqiptarë, kudo që ndodhen”, shkruan MEPJ në rrjetet sociale.

/tvklan.al