Zgjimi sapo agon dita, celulari gjithnjë i hapur, rendje e palodhur pas ngjarjeve më të fundit për të përcjellë lajmin e ditës të kronikës së zezë, prania në studiot televizive për t’i trajtuar… të gjitha këto janë vetëm pak nga një ditë e Klodiana Lalës.

Përtej profesionit dhe punës, ajo është nënë dhe bashkëshorte, një ekuilibër jo gjithnjë i lehtë por që Lala ia ka dalë ta ruajë. Në bisedën me “Aldo Morning Show” në Tv Klan u shpreh se “një nënë e gjen gjithnjë kohën për fëmijët dhe familjen” ku aspektin sasior e ka ‘këmbyer’ me cilësinë.

Klodiana Lala: Ndonjëherë nuk e kam kohën e mjaftueshme me fëmijët. Përpiqem që atë kohë që ta kaloj me ta ta kaloj shumë cilësore, të jem totalisht e përkushtuar ndaj tyre, të bisedoj me ta, të kuptoj çfarë problematikash kanë patur në shkollë, përpiqem që të jem e plotë sepse ndodh ndonjëherë që një nënë të jetë 24 orë me fëmijët por nuk është aty, e ka mendjen diku tjetër. Atë kohë që unë kam në dispozicion përpiqem ta kaloj shumë fort, shumë cilësore me ta.

Aldo: Ke pengje?

Klodiana Lala: Pengje? Në çfarë aspekti?  Profesional apo…

Aldo: Për jetën personale.

Klodiana Lala: Ndonjëherë rebelohem me veten që nuk kam kaluar më shumë kohë me vajzat, por jo peng.

Më herët gjatë bisedës gazetarja u pyet për një zgjedhje mes karrierës dhe familjes, ku më shumë prevalon e dyta.

Klodiana Lala: Nuk ka gjë më të jashtëzakonshme se sa në atë mëngjesin tënd të hershëm, fëmijët të vijnë dhe që në mëngjes merren me ty, fillojnë të të përqafojnë, të bëjnë pak masazh, qeshin. Ajo e qeshura që është tamam si ai uji që gurgullon, e ke parasysh, nuk e di, në ndonjë Valbonë për shembull që gurgullon dhe ka atë zhurmën, nuk i reziston dot.

Sa i përket raportit me fëmijët, Lala thotë se nuk është treguar kurrë e ashpër ndaj tyre por u ka mësuar të jenë të rregullt dhe të disiplinuar.

Klodiana Lala: Nuk do ta besojë publiku, por unë në asnjë rast nuk jam bërë agresive me fëmijët sa ime më më tha para pak ditësh në fakt, po fliste me babin dhe tha “nuk e kam menduar që Klodiana mund të sillej në këtë mënyrë me fëmijët, duke qenë natyrë e fortë, rebele, mendoja që mund të ishte agresive”. Nuk e di…  por kur them nuk u kam bërtitur, që mos të keqkuptohemi, nuk them që unë nuk vë rregulla se patjetër që kërkoj disiplinë por nuk u kam bërtitur në mënyrë të paarsyeshme apo e ndikuar nga faktorë të jashtëm se patjetër që fëmijët duhet të kenë disiplinë, kohën për të bërë mësimet, të kenë disa rregulla që do ngrihen në mëngjes do duhet të rregullojnë krevatin e tyre, rrobat do duhet t’i vënë në vendin e tyre, pra kanë disa gjëra që ata e dinë shumë mirë që duhet t’i bëjnë dhe nuk ka asnjë diskutim, por në mënyrë të paarsyeshme e di që do më gjykojnë dhe janë nisur nga kjo, do fillojnë ja kjo do hiqet si e mirë se është në ekran se ne e dimë çfarë bëhet se çdo nënë i bie pak te koka fëmijës së vet, por më beso që nuk e kam bërë./tvklan.al