Gaza – 11 vjeçari Karem Samra nuk shkon më në shkollë, e as nuk ka mundësinë të luajë si gjithë fëmijët e tjerë. Ai po jeton mes frikës e ankthit, bashkë me familjen poshtë një shtëpie të rrënuar prej 4 muajsh. Edhe pse xhamat i ka të shkatërruara, ata duan të besojnë se aty janë të mbrojtur.

Çdo ditë, vogëlushi del jashtë për të kërkuar ujë. Ky i fundit është i ndotur, e megjithatë mezi sigurohet. Në ditën më të mirë, ai mbush 7.6 litra ujë.

“Ndonjëherë kur kthehem për në shtëpi, rrëzohem sepse kovat janë të rënda. Qaj sepse e di që asnjë nuk më ndihmon dot, duke e ditur që familja ime është pa ujë”, shprehet ai për mediat e huaja, teksa në vetullat e tij mund të shohësh qartë pluhurin e rrugëve të bombarduara.

Për Karem, presin 4 motrat e tij dhe prindërit, Suzzane dhe Ameen. Babai i tij, 54 vjeç ka punuar gjithnjë peshkatar. Kështu ai siguronte bukën për familjen, por Izraeli ia ka bllokuar këtë mundësi.

“Më mungojnë shkumësat, shokët dhe librat”, thotë Karem. “Do të doja që shtëpia jonë të mos ishte shkatërruar dhe ne të mos vuanim çdo ditë për bukë e ujë.”

Shqetësimi i tij për familjen ka shkuar deri në atë pikë, sa ai ka shitur rrobat e trupit për ushqim dhe dru për t’u ngrohur. Prindërit të trishtuar shohin se si atij po i shkon dëm fëmijëria…

“Ai dikur ulej lexonte, vizatonte. Shpenzonte shumë kohë në dhomën e tij. Ne mezi prisnim të dilte dhe të na tregonte një nga vizatimet e tij”, thotë e ëma Suzanne.

Këto kujtime i kanë mbetur të shkuarës tashmë…

Samra është një prej mijëra familjeve palestineze që po strehohen në çadra, banesa të rrënuara apo shkolla. Karem është po ashtu një nga të shumtët fëmijë që merr përsipër të veprojë si një i rritur.

Marrja e përgjegjësive në një moshë kaq të re dhe humbja e shumë njerëzve të dashur e ka bërë atë të mos e dojë më shkollën si dikur.  “Kam humbur librat, dëftesat e mia. Madje dhe disa nga mësuesit e mi. Nuk e di a do mundem një ditë të dua të shkoj në shkollë me të njëjtën ndjesi si dikur. Ëndërroja të bëhesha pilot një ditë, por pasi pashë bombat duke na vrarë e shkatërruar, kam frikë. Tani nuk e di çfarë dua të bëhem”, thotë ai mes lotësh.

Prindërit e tij ende nuk arrijnë ta besojnë se si një trup aq i vogël mban aq shumë dhimbje.

“Nuk duam ta shohim djalin tonë ashtu, por ai këmbëngul që të na ndihmojë. Por sa herë që shkojmë bashkë për të fjetur, ai bëhet prapë fëmija që është. Na kërkon rroba të bukura sapo lufta të mbarojë”, përfundojnë ata./tvklan.al