“Në pjesën më të madhe të ditës, në kryqëzimin e rrugëve pas meje këtu në Kinostudio, kalimtarëve iu duhet të kalojnë përmes një reje të dendur pluhuri që qëndron në ajër për shkak të qarkullimit të mijëra makinave gjatë ditës, në një rrugë të pa shtruar.

Pluhuri që ngrenë automjetet, sipas mjekëve është shkaku kryesor i shtimit të sëmundjeve polmonare. Gjatë vitit të kaluar, rastet me kancer në mushkëri janë rritur më 25%”.

Të dhënat janë vetëm dy vitet e fundit, në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”. Doktoresha Olvis Petre pohon për Tv Klan situatën alarmante në të gjithë vendin, 25 % e popullsisë me kancer të mushkërisë.

“Kemi një rritje të kancerit të mushkërisë, por edhe sëmundjeve të tjera bronkiale, spok dhe astma. Të sëmurë me kancer, në 2016 ishin 594 persona, ndërsa në 2017 janë 740 raste. Këto janë raste të reja, ndërsa ato më spok dhe astma mund të jenë raste të rishtruara”.

Mjekja shpjegon se grimcat e pluhurit për shkak të diametrit të tyre depërtojnë thellë në rrugët e frymëmarrjes, madje deri në gjak.

“Një pjesë e këtyre grimcave solide, një pjesë e madhe thithen nga pjesa e rrugëve sipërme aspiratore, ato më të vogla kalojnë në rrugët bronkiale dhe një pjesë e tyre kalon edhe në gjak. Ndotja e ajrit mund të jetë faktor risku për zhvillimin e disa sëmundjeve të caktuara të rrugëve të frymëmarrjes, por edhe si shkaktar kryesor dhe gjithashtu edhe faktor i veçantë i acarimit të këtyre sëmundjeve”.

Për specialistët e mjedisit, burimi kryesor i ndotjes mbetet emetimi i gazrave nga automjetet, si dhe numri i lartë i automjeteve në vendin tonë. Sipas tyre, në Tiranë numri i makinave është 3 mijë për km/2, më i madh se Amsterdami apo Berlini.

Tv Klan