Ndotja nga mbetjet e plastikës do të kthehet për vitet në vazhdim në një kërcënim të madh për jetën tonë si dhe atë nënujore.

Sipas një studimi të fundit të botuar në revistën Science brenda dy dekadave, pra deri në vitin 2040, Toka do të ketë 710 milionë tonë ndotje plastike.

Grupi i hulumtuesve ndërkombëtarë nga disa universitete nga e gjithë bota shprehen se edhe në rastin më të mirë nëse ndotja plastike ulet në masën 80%  sërish ajo do të jetë masive.

Bashkëautorja e këtij studimi Winnie Lau është shprehur se plastika tanimë është bërë e pakontrollueshme dhe tani nuk mund të bëhet asgjë.

Në studim thuhet gjithashtu se njerëzimi ka të gjithë njohuritë dhe teknologjitë për të bërë një ndryshim të madh. Miliona tonë plastikë hyjnë në oqeane çdo vit, duke ndotur detet dhe plazhet dhe duke rrezikuar jetën e egër.  Studiuesit janë veçanërisht të shqetësuar lidhur me përqendrimet e mëdha të fragmenteve mikroplastike në akullin e detit dhe se gjitarët e detit janë më të rrezikuarit për t’u zhdukur.

Kujtojmë se një vit më parë parlamenti europian votoi për heqjen nga përdorimi të materialeve plastike. Nga 2021 në vendet e Bashkimit Europian nuk do të përdoren më materialet plastike një përdorimshe. 

Ndër të tjera ky ligj parashikon se duke filluar që nga viti 2025 shishet e plastikës duhet të përmbajnë të paktën 25% material të riciklueshëm, kuotë e cila do të arrijë në 30 % brenda vitit 2030. Ligji thekson edhe një objektiv për mbledhjen e 90% të shisheve të plastikës brenda vitit 2029.

Ekspertët hedhin alarmin dhe theksojnë se duhen politika efikase dhe masa të menjëhershme për të reduktuar në mënyrë domethënëse përdorimin e plastikës pasi vetëm një ligj nuk mund të shmangë kurrsesi shkatërrimin që po i bëhet biodiversitetit.

Klan Plus