Kjo është pamja çdo mesditë në Valias të ri. Në kolektorin e ujërave të zeza, thertorja e vetme e zonës kryen edhe derdhjen e gjakut të bagëtive, siç mund ta shihni edhe në videon sjellë nga banorët në redaksinë e Klan Plus.

Para disa muajsh, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit zhvilloi një aksion që solli mbylljen e 13 thertoreve në këtë zonë pasi nuk plotësonin kushtet higjienike. Për këtë arsye AKU vendosi të ndërtojë sipas standarteve këtë godinë në Valias të ri për të përmbushur nevojat me produkte mishi për banorët e zonës.

Ndërsa për sa i përket largimit të mbetjeve, thertorja është mjaftuar vetëm me derdhjen në kolektor. Kanali që qëndron i hapur prej muajsh, që pas përmbyjtjeve në muajin Dhjetor, përshkon të gjithë zonën dhe ndodhet shumë pranë shtëpive të banorëve. Ata shprehin shqetësim lidhur me pamjen që shohin çdo ditë sapo dalin nga dera e shtëpisë.

“Shikoni sa afër e kam shtëpinë, nuk durohet era e keqe. Kemi hallin e fëmijëve”.

Edhe pse nuk kanë marrë një zgjidhje për mbulimin e kolektorit pas pastrimit nga përmbyjtet, banorëve iu është shtuar tashmë edhe frika e përhapjes së sëmundjeve nga prania çdo ditë e mbetjeve shtazore në një distancë prej 20 metrash nga banesat ku jetojnë. 

Burimi: Klan Plus

Gazetare: Megi Fagu