Reagimi i Kryeministrit vjen pas grumbullit të mbeturinave përgjatë aksit Kardhiq-Delvinë

Edhe pse jemi në kulmin e sezonit turistik dhe çdo ditë vendi po përballet me bum turistësh, ndotja nga të papërgjegjshmit që hedhin plehra vend e pavend është shqetësuese.

Vetë Kryeministri Edi Rama duke marrë shkas nga ndotja përgjatë aksit Kardhiq-Delvinë ka reaguar në rrjetet sociale duke nënvizuar se do të ashpërsohen masat ligjore për ndotësit.

“Rrugët e reja janë për të shkurtuar distancat, jo për t’u kthyer në vendhedhje plehrash.Dhe në këtë kthesë të madhe historike për turizmin e për ekonominë shqiptare, ne s’do të lejojmë që sjellja e egër e një pakice individësh të pacipë, të dëmtojë Shqipërinë e rilindur turistike! Një paketë e re ndëshkimesh drastike ligjore për hedhësit e plehrave rrugëve, do të hyjë në fuqi maksimumi fillimvitin e ardhshëm”.

Për sezonin turistik veror të këtij viti, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit ka angazhuar forca shtesë pastrimi për vijën bregdetare në disa nga Bashkitë që kanë fluksin më të madh të vizitorëve për të garantuar një sezon sa më të pastër dhe me standarde.

Klan News