Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda mësohet se është pyetur përreth 2 orë deputeti socialist Ilir Ndraxhi, vëllai i të cilit u kap në përgjime me Astrit Avdylajn.

Thirrja e tij është bërë ditën e enjte pas publikimit të bisedës nga Bild, ku ai përmendej nga Astrit Avdylaj si kandidat për listën e PS në zgjedhjet e 2017. Ndraxhi mësohet se ka dhënë shpjegime lidhur me episodin ku kreu i grupit kriminal të Shijakut i kishte kërkuar Kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako të ndikonte te kryeministri që Ilir Ndraxhi të vendosej në listën e kandidatëve për deputetë të PS në zgjedhjet parlamentare të atij viti.

Më tej në bisedën mes tyre, Avdylaj zotohet se ata do punojnë fort që ta surprizojnë me një rezultat pozitiv 10 me zero. Hetimet për Ndraxhin janë pjesë e Dosjes 339, një pjesë e përgjimeve të së cilës janë publikuar nga Bild bashkë me materiale të Dosjes 184. Për të dyja dosjet kryeprokurorja Marku tha të enjten në parlament se u ka kërkuar prokurorëve të dalin sa më shpejt në konkluzione.

Tv Klan