Ish deputeti socialist Pjerin Ndreu ka reaguar lidhur me përgjimet e gazetës “Bild” të dosjes 184. Nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, Ndreu e cilëson si një komunikim normal me një qytetar socialist. Gjithashtu, kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë Lezhë thotë së kjo nuk është gjë tjetër veçse një flluskë sapuni.

Reagimi:

“Përgjimet janë indice por jo prova. Megjithatë meqë është përmend emri im, jam i detyruar t’u them se komunikimi im s’ka të bëjë me shit-blerje, por me votat e një socialisti i cili normalisht duhet të votojë partinë e vet. Është komunikim normal me strukturat tona. As nuk është i PD as i LSI që të quhet presion. Nëse nuk lejohet t’u kërkohet vota nga ne socialistëve, atëherë është tjetër gjë.

Përgjimi është një flluskë sapuni se u nis si shit-blerje dhe u katandis në telefonata pune normale me socialistët. Drejtorit të shkollës i lejohet ligjërisht të jetë pjesë e strukturave politike për ato që nuk e dinë këtë gjë dhe të votojë partinë ku aderon!”