Në konferencën ku pranoi gabimet e tij në drejtimin e Kombëtares, Christian Panucci tha se tani e tutje do të ndryshojë, por a do të vijë ky ndryshim që në miqësoren me Uellsin?

Pas largimit nga përfaqësuesja një ditë më parë të Gjimshitit, Ndojit dhe Binakut për shkak dëmtimi, sot ka lënë grumbullimin edhe Rey Manaj pasi vuan një gjendje gripale. Në këtë mënyrë trajneri Italian, veç faktit se ka qenë gjithnjë me mëdyshje mbi formacionin dhe rreshtimin duhet të modifikojë sërish.

Të paktën sipas stërvitjes së fundit, Strakosha rikthehet në portë. Në mbrojtje do të jenë Hysaj, Veseli, Ismajli dhe Dermaku ndërsa mesfusha me 3, Kaçe, Basha dhe Memushaj. Në krahët e sulmit Uzini dhe Grezda ndërsa Balaj në qendër i avancuar.

Gjithsesi nuk përjashtohet mundësia, ashtu sikurse e ka bërë zakon, Panucci mund ta ndryshojë sërish këtë rreshtim madje edhe formacionin.

Pas rezultateve të dobëta në Ligën e Kombeve një lajm i mirë vjen për kombëtaren shqiptare. Rreziku për rënien një ligë më poshtë u shmang pasi Norvegjia fitoi 2-0 në fushën e Qipros. Kjo e fundit në renditjen e përgjithshme dhe me zbritjen e pikëve që ka marrë nga ndeshja me të fundit në grup ka më pak se Shqipëria që është në vendin e 3 në një grup me 3 skuadra.

Tv Klan