Kuvendi i Shqipërisë është angazhuar për të bërë disa ndryshime në reformën në drejtësi, të kërkuara dhe nga institucionet ligjzbatuese në vend. Në propozimet që gazetarja e Klan News, Klesiana Omeri ka siguruar, SPAK ka kërkuar krijimin e një njësie shërbimi ligjor, e cila do të ushtrojë veprimtarinë këshilluese dhe ndihmëse në procesin e vendimmarrjes së Prokurorisë së Përgjithshme.

Kjo njësi do të jetë në varësi të Drejtuesit të SPAK dhe do të jetë e përbërë nga këshilltarë ligjorë, në të cilën më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm përbëhet nga ndihmës magjistratë të komanduar.

Në këto ndryshime të propozuara nuk është parashikuar zgjatja e mandatit të kreut të SPAK, çështje për të cilën pati shumë diskutime.

Korrigjime të tjera do të bëhen dhe në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë, ku i shtohen disa kompetenca Prokurorit të Përgjithshëm.

Drejtuesi i Prokurorisë do duhet të informojë Prokurorin e Përgjithshëm çdo tre muaj dhe sa herë kërkohet në raste të veçanta mbi gjendjen e kriminalitetit dhe mbarëvajtjes së punës organizative në Prokurori.

Prokurori i Përgjithshëm të paktën dy herë në vit organizon mbledhje me drejtuesit e Prokurorisë në lidhje me çështje të organizimit dhe funksionimit të institucionit dhe gjendjen e kriminalitetit.

Klan News